DURRËS, 6 tetor 2013 – Nisur nga jehona e gjerë që ka pasur vdekja e të moshuarës durrsake, 86-vjeçares Sofi Qendro, por edhe për problemin e strehimit të ish-qiramarrësve në banesa ish-pronarësh, që në Durrës arrijnë në mbi 600, durreslajm.com e pa të arsyeshme të botojë të plotë deklaratën e Avokatit të Popullit Igli Totozani (shih:http://www.avokatipopullit.gov.al/?p=4353). Para pak kohësh, po në Durrës, është shmangur një tragjedi vetëvrasjeje kur u nxor forcërisht një qiramarrës, ku u lakua emri i vjehrrit të Presidentit të Republikës Bujar Nishani.  

DEKLARATË PËR MEDIA

Tiranë, më 6 tetor 2013

Institucioni i Avokatit të Popullit, me trishtim mësoi sot nëpërmjet shtypit të shkruar për vdekjen e një të moshuare ish-qiramarrëse në banesë ish-pronarësh, në kushte aspak dinjitoze dhe të mjerueshme, e detyruar të kalonte ditët e fundit të jetës së saj në rrugë, pasi nuk mundi që edhe në këto ditë të kishte një banesë të sajën.

Avokati i Popullit, konstaton me shqetësimin më të madh se plagët sociale të paralajmëruara prej tij me hyrjen në fuqi të Aktit Normativ të Qeverisë nr. 3 datë 1.8.2012, sa vijnë dhe përkeqësohen deri edhe në akte të dëshpëruara të njerëzve të pashpresë për t’i dhënë fund jetës, sikurse ka ndodhur në gusht në Kavajë apo edhe në një rast tjetër gjatë shtatorit në Durrës.

Avokati i Popullit ka qenë vazhdimisht i preokupuar dhe i vëmendshëm jo vetëm për të parandaluar hyrjen në fuqi të një akti të tillë normativ, që ngjalli shumë debate dhe që njëkohësisht po sjell dita ditës pasoja të rënda. E kemi theksuar që në krye të herës se jemi tërësisht për respektimin e së drejtës së pronësisë dhe kthimin e pronës te pronari i saj i ligjshëm. Por në një shtet social duhet të respektohet edhe e drejta e gjithkujt për të pasur një familje, një strehë, e cila simbolizon bërthamën dhe perspektivën e një shoqërie që në themel ka mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Pikërisht kjo balancë vlerash nuk është respektuar me nxjerrjen e Aktit Normativ, fakt që është evidentuar dhe kërkuar me forcë nga ana e Avokatit të Popullit që në momentet e para, duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë mosmiratimin e tij. Ky akt nuk është shoqëruar nga një studim paraprak i gjendjes së këtyre familjeve qiramarrëse, i nevojshëm në këtë rast.

Edhe pas miratimit nga Kuvendi, Avokati i Popullit në respekt të mekanizmave garantë të shtetit ligjor, i ka kërkuar publikisht Gjykatës Kushtetuese zbardhjen e vendimit mbi ankimimin e këtij akti normativ, nga ana e disa shoqatave të qiramarrësve në banesa ish-pronarësh, për shkak të vonesës së konstatuar. Në vazhdim, në muajin shkurt 2013, Avokati i Popullit i është drejtuar me një rekomandim të posaçëm ish-Kryeministrit z. Sali Berisha lidhur me këtë çështje, ku kërkohej ndërmarrja e hapave të nevojshëm ligjorë për zgjidhjen e emergjencës, që tashmë akti normativ u ka krijuar me hyrjen në fuqi, ish-qiramarrësve në banesat e ish-pronarëve, pas lirimit të këtyre banesave.

Dy jane zgjidhjet e rekomanduara, ose dhënia e garancisë nga ana e shtetit për përfitimin e kredive me 0% interes, prej ish-qiramarrësve që nuk plotësojnë kushtet e vendosura nga ana e bankës së kontraktuar nga ana e shtetit për këtë qëllim; ose livrimi i fondeve pushtetit vendor për ndërtimin e banesave sociale për këta individë qiramarrës në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.

Asnjëherë nuk pati një përgjigje ndaj rekomandimit tonë, me gjithë këmbënguljen tonë të vazhdueshme për këtë qëllim, ndaj edhe sot janë të dukshme pasojat e këtij mosveprimi nga ana e autoriteteve përgjegjëse shtetërore, të qeverisë së mëparshme.

Prej disa ditësh Institucioni i Avokatit të Popullit ka filluar punën për rishqyrtimin e rekomandimeve pa përgjigje drejtuar Qeverisë së mëparshme, me qëllim risjelljen e tyre në vëmendje Qeverisë së re. Një nga këto rekomandime është edhe ai për zgjidhjen e çështjes së strehimit të familjeve qiramarrëse në banesa ish-pronarësh.

Zgjidhja që do t’i sugjerohet Qeverisë aktuale, do të jetë ajo që konsiston në garancinë e shtetit për përfitimin e kredisë nga ana e ish-qiramarrësve në banesa ish-pronarësh, apo livrimi sa më i shpejtë i fondeve për ndërtimin e banesave sociale për këtë kategori, nga ana e pushtetit vendor.

Avokati i Popullit do të vazhdojë punën e tij në këtë drejtim deri në gjetjen e një zgjidhjeje reale dhe të arsyeshme edhe për këto familje, për të shmangur dhe parandaluar këto pasoja sikurse vdekja e të moshuarës në qytetin e Durrësit.    

KABINETI

Shënim: “Dyrrah”-u ka vënë 295 “ë”, që mungonin në tekstin origjinal të deklaratës së Avokatit të Popullit, si dhe ka ndrequr 20 gabime shtypi, drejtshkrimore, pikësimi. Po gjuhën shqipe kush do ta mbrojë kur nuk e mbron Avokati i Popullit?!

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/