DURRES, 5 tetor 2013 – Sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, ka besim se skuadra e tij do të fitojë të dielën në stadiumin e Kavajës kundër Vllaznisë. Sipas Mancakut, skuadra e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe po përgatitet për të marrë më të mirën nga kjo sfidë.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi thekson se Teuta duhet të ndërrojë marsh, në mënyrë që të kalojë me sukses provat pasardhëse. Durrsakët të dielën do të presin Vllazninë, ndërsa në javën tjetër do të udhëtojnë drejt Korçës për të sfiduar Skënderbeun, kampion në fuqi.
“Sfida me Vllazninë do të jetë shumë e fortë, ndaj ne po marrim të gjitha masat e nevojshme që të jemi gati për duelin me shkodranët. E kemi vlerësuar kundërshtarin ashtu siç e meriton. Pavarësisht humbjes së fundit ndaj Skënderbeut, Vllaznia ka treguar se ka një skuadër shumë të mirë, e cila duhet pasur kujdes. Duhet ta kalojmë me sukses këtë kundërshtar dhe më pas të përqendrohemi te ndeshja e radhës që na pret, ku përballë do të kemi Skënderbeun. Do të jenë dy ndeshje shumë të vështira dhe në të njëjtën kohë decizive për ecurinë e skuadrës”, – u shpreh fillimisht durrsaku.
Besimi – Mancaku thekson më tej se Teuta duhet të fitojë ndaj Vllaznisë, si dhe të mos dalë pa pikë nga Korça.
“Këto dy javë do të jenë decizive për ecurinë e skuadrës sonë. Të dielën presim Vllazninë dhe më pas shkojmë për t’u përballur me Skënderbeun. Të dy kundërshtarët janë rivalët kryesorë, prandaj duhet të bëjmë një paraqitje dinjitoze në të dyja sfidat. Kjo do të jetë një provë për skuadrën tonë dhe aty do të duket forca e vërtetë e ekipit. Ne kemi besim se edhe pas këtyre dy ndeshjeve, Teuta do të vazhdojë të jetë në krye të klasifikimit”, – shtoi Mancaku.
Sulmuesi e konsideron pozitiv faktin që skuadra nuk ka pësuar asnjë humbje në gjashtë javët e para, ndërsa uron që kjo të zgjasë sa më tepër. Sipas lojtarit, ky është edhe çelësi kryesor që skuadra ndodhet në vendin e parë.
“Jemi e vetmja skuadër që nuk kemi pasuar asnjë humbje deri më tani dhe besoj se ky është faktori kryesor që ndodhemi në vendin e parë. Ne do të përpiqemi të mbajmë këtë ritëm, madje edhe ta shtojmë pak, në mënyrë që ecuria e skuadrës të vijojë të ecë në rrugë të drejtë”, – përfundoi prononcimin e tij idhulli i tifozërisë durrsake.





