TIRANE, 5 tetor 2013 – Kryeministri Edi Rama priti sot Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu. Gjatë këtij takimi, shefi i qeverisë e falënderoi ministrin Davutoglu për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë.
Kryeministri Rama theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të forcojë më tej edhe bashkëpunimin në të ardhmen.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë, Ministri Davutoglu uroi Kryeministrin Rama për fitoren e zgjedhjeve dhe marrjen e detyrës së re në qeverisjen e vendit.
Mësohet se kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Davutoglu biseduan edhe për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy kabineteve qeverisëse, si edhe për këshilltarët turq në fushat e energjisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe rendit publik që do të asistojnë nga afër sektorët përkatës.
Basha-Davutoðlu: PD do të vazhdojë të mbështesë partneritetin strategjik meTurqinë
"Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm partneritetin strategjik me Republikën e Turqisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona në rrafshin dypalësh dhe shumëpalësh”, u shpreh sot kryetari i opozitës z. Lulzim Basha, në një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Ahmet Davutoglu.
Gjatë bisedës u diskutua në lidhje me trashëgiminë e fortë të marrëdhënieve Shqiptaro – Turke dhe mbi partneritetin e rëndësishëm strategjik, që ekziston prej kohësh mes dy vendeve tona. U bë një bilanc i hovit që morën marrëdhëniet Shqiptaro – Turke gjatë 8 vjeçarit të kaluar të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Berisha, ku shkëmbimet tregtare mes dy vendeve u shtatëfishuan dhe Turqia u bë partner kryesor i Shqipërisë në lidhje me investimet e huaja, si dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e energjisë, shëndetësisë, infrastrukturës, financës dhe telekomunikacionit.
Nishani pret Davutoglu: Shqipëria do të vijojë të jetë faktor stabiliteti në rajon
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë politik, ekonomik, kulturor, ushtarak dhe në shumë fusha të tjera, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera, në bazë të të cilave qëndrojnë miqësia dhe lidhjet tradicionale midis dy vendeve tona.
Në këtë kuadër, Presidenti Nishani nënvizoi dëshirën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona, prezencën e sa më shumë bizneseve turke në Shqipëri, veçanërisht në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e turizmit.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Nishani shprehu bindjen se Shqipëria do të vijojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon, me fokus bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit në funksion të marrdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe procesit të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit u shpreh, ndër të tjera, se “Turqia ka qenë dhe mbetet një aleat i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë”.
Ndër të tjera, kreu i Shtetit shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen në emër të popullit shqiptar dhe tijin personal për ndihmën dhe mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vite Shqipërisë.
“Presidenti Nishani u ndal në disa nga arritjet kryesore të Shqipërisë duke vënë theksin se këto arritje nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e miqve të Shqipërisë, ku padyshim kontributi i Turqisë është i veçantë. Kreu i Shtetit u ndal në mirënjohjen ndaj ndihmës dhe mbështetjes që Turqia i ka dhënë shtetit të Kosovës që nga procesi i pavarësimit e deri në njohjen që shumë shtete i kanë bërë Kosovës, duke theksuar se pavarësimi i këtij shteti të ri provoi të ishte i suksesshëm duke bindur dhe më skeptikët e këtij procesi.”- njofton Presidenca.
Meta-Davutoðlu: Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Shqipërisë është strategjik
"Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Shqipërisë është strategjik dhe suksesi i Shqipërisë, është edhe suksesi i Turqisë”, u shpreh sot Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Ahmet Davutoðlu, gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta.
Ministri Davutoðlu gjithashtu shprehu urimet më të përzemërta ndaj z. Meta për marrjen e detyrës së re të Kryetarit të Kuvendit dhe vuri në dukje kënaqësinë e tij të madhe që është Ministri i Jashtëm i parë që viziton Tiranën pas mbledhjes së Legjislaturës së re.
Z. Davutoðlu e njohu z. Meta me vullnetin e qeverisë turke për të dhënë mbështetje të gjithanshme të Turqisë në funksion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit Meta i shprehu Ministrit Davutoðlu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për mbështetjen e Turqisë dhe shprehu besimin se marrëdhëniet ndërparlamentare do të njohin një fazë të re zhvillimi.





