TIRANE, 5 tetor 2013 – Mazhoranca, edhe pse ka arritur shifrën e artë prej 84 mandatesh, në të ardhmen mund të ketë edhe votën e Nard Ndokës, kryetarit të PDK, aktualisht në opozitë, i cili u zgjodh deputet në 23 qershor nga listat e Partisë Demokratike.
Deklarata u bë në emisionin Tonight Ilva Tare, ku Ndoka u shpreh qartë se shumica do të kishte edhe mbështetjen e tij.
“Kam një histori opozitare, tre vite pjesë e asaj opozite. E shoh me gjakftohtësi, madje do të dëshiroja që edhe unë të jepja kontributin tim për të mbështetur mazhorancën”,tha ai.
Në debatin e djeshëm për radikalizimin e opozitës, ish-ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, shprehu bindjen se bojkoti do t’i shërbente më së miri opozitës.
“Jo vetëm është një rrugë e zgjedhur me dashje direkt nga ana e PD dhe kryetari i saj Lulzim Basha, por besoj se kjo është një sjellje që jep frytet e veta më shpejt”, u shpreh Alibeaj.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, e konsideron të pajustifikueshëm veprimin e opozitës.
“Edhe deklarata që bën Sali Berisha, kryetari de facto i PD, por edhe ato që thotë Lulzim Basha janë qëndrim politik i tyre që duan ta radikalizojnë historinë. Gjetën këtë moment të ligjit të shërbimit civil dhe duan të krijojnë një raport të ri me vetveten dhe me grupin e vet parlamentar”, u shpreh ai.





