TIRANË, 5 tetor 2013 – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj reagoi sot në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara nga prokuroria për 4 zyrtarë të Ministrisë së Punës. Ministri Veliaj bëri të ditur se ka nisur një auditim serioz në institucionin që drejtohej më parë nga Spiro Ksera dhe çdo shkelje që do të konstatohet do t’u referohet organeve të drejtësisë. 

Sipas Veliaj, deri tani është konstatuar fakti se janë zhdukur fonde të personave me aftësi të kufizuar, dhe për këtë arsye është dërguar dokumentacioni i nevojshëm në prokurori. 

“Kemi denoncuar që ditën e parë problemet që kemi. Janë zhdukur gjithë fondet e aftësisë së kufizuar. Jemi shumë të shqetësuar se si është bërë rrush e kumbulla gjithë buxheti i shtetit, e kemi thënë këtë publikisht dhe ligjërisht. Kemi nisur një auditim shumë serioz të të gjithë abuzuesve me fondet e ndihmës ekonomike, me fondet e aftësisë së kufizuar dhe fondet e invalidëve të punës. Nëse nga këto inspektime që po bëjmë, po gjejmë materiale të cilat tregojnë se si janë bërë këto abuzime, po ja çojmë prokurorisë. Për ata mëkatarë që kanë futur duart në buxhet dhe kanë marrë lekët e paraplegjikëve, tetraplegjikëve, të të verbërve, këta njerëz duhet të përgjigjen para ligjit. Më vjen mirë që ka filluar një proces që mund të bëjë transprencë. Më vjen mirë që prokuroria po e merr seriozisht.”- deklaroi Veliaj.

Ditën e djeshme janë prerë urdhër-arrestet për katër zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punës. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e kabinetit të ish-ministrit Spiro Ksera, Klevis Bitro, ish-sekretarin e përgjithshëm, Ilir Ibrahimi, dhe drejtorin aktual të Financave, Besnik Dema, si dhe Murat Mehmetin, në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm në ministri.

 4 zyrtarët akuzohen për korrupsion e shpërdorim detyre në lidhje me një tender fiktiv për një spot publicitar për festën e ‘1 Majit’ në vitin 2012, spot i cili në fakt nuk u realizua, ndërsa dëmi i shkaktuar përllogaritet në vlerën e 20 mln lekëve të rinj.