TIRANË, 5 tetor 2013 – Zëvendësministre në karrocë, një nga befasitë e kabinetit të ri qeveritar është emërimi i veprimtares së famshme të të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara Bardhylka Kospiri në postin e nr. 2 të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Fakti ka bërë xhiron e të gjitha medieve. Është për t’u theksuar se edhe USAID (United States Agency for International Development – Agjencia qeveritare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar) i ka kushtuar 15 minuta dokumentar kësaj gruaje simbol të vendosmërisë në jetë (shih videon nëhttp://www.youtube.com/watch?v=xvs7A4n0HLc). Kurse Uashingtoni zyrtar i dha çmimin “Gruaja e Kurajës” e vitit 2010 (një grua heroinë me kontribut të jashtëzakonshëm si një pioniere dhe avokate e të drejtave të aftësisë së kufizuar të trajtuara në këndvështrimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri). Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) thotë në një komukatë për shtyp se “është hera e parë që në përbërjen e strukturave më të larta të Qeverisë Shqiptare përfshihet një person me aftësi të kufizuara dhe për më tepër një grua. Znj. Kospiri, që prej vitit 2000 ka qenë pjesë e stafit të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) dhe me përkushtim, përgjegjshmëri maksimale e profesionalizëm, ka punuar fort për të sjellë ndryshime cilësore në kuadrin ligjor e strategjik në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, por edhe në ndryshimin e qëndrimeve dhe qasjeve të trajtimit të tyre në shoqërinë shqiptare. Duke përgëzuar qeverinë shqiptare për përfshirjen e Znj. Kospiri, i urojmë punë të mbarë dhe besojmë se programet e ndërhyrjet e ardhme, do t'i vijnë në ndihmë një numri sa më të madh individësh me aftësi të kufizuara, përmes shërbimeve bashkëkohore, nxitjes së arsimimit, formimit profesional dhe punësimit”. Kospiri ka qenë edhe kandidate për deputete në kohën kur ministri Erion Veliaj drejtonte partinë G99.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/