DURRËS, 5 tetor 2013 – Në shkollën speciale të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Durrës mësojnë 100 fëmijë (shih foton kryesore dhe foton nr. 1 poshtë), megjithëse hapësirat dhe mundësitë janë për të sistemuar më shumë persona të kësaj kategorie, thotë gazetari i njohur Aleks Kalemasi. Drejtorja e shkollës Artemida Çerçizi (foto nr. 2) thotë se rang qarku janë njëmijë fëmijë me aftësi të kufizuara të moshës 10-12 vjeç deri e adoleshentë e të rinj 20-vjeçarë që i pranon kjo shkollë. Çerçizi nuk e kupton pse pjesa më e madhe e prindërve nuk i sjellin bijtë e tyre në këtë institucion të specializuar. Kameramani Reanaldo Ziu sjell rastin e Arditit (foto nr. 3), më i madh se fëmijët e tjerë. Është një prej atyre që sivjet ka vitin e dytë në këtë shkollë. Stafi dhe fëmijët i rezervojnë atij një surprizë të bukur me rastin e ditëlindjes. Mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të nxënësve dhe edukatorëve ai fik qirinjtë e tortës. Nëna (foto nr. 4) e Arditit shprehet e lumtur dhe shumë e kënaqur për të birin dhe kushtet e krijuara. Familja e Arditit ka ardhur nga Mati në Durrës. E ëma thotë se në Burrel nuk ka shkollë të posaçme. Edhe nxënësit e tjerë shprehen të kënaqur me shkollën, ku sipas tyre veç mësimit kryejnë edhe aktivitete të tjera edukative dhe të trajnimit profesional. Shkolla speciale e fëmijëve me aftësi të kufizuara ofron edhe ushqimin për mëngjes dhe drekë për të gjithë fëmijët. Për të gjithë fëmijët është siguruar transporti drejt shtëpive të tyre me shtrirje në gjithë qarkun.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





