Nga Aleksandër Kokomani*

Shpesh në shkrimet analitike dedikuar politikës së jashtme injorohen studimet mbi vetë strukturat dhe mekanizmat e shërbimit të politikës së jashtme. Ndërkohë që është pikërisht puna e “mjeshtëria” e diplomatëve dhe institutet e diplomacisë që duhet të luajnë një rol të veçantë në realizimin e projekteve ambicioze të politikes së jashtme të vendit. Proceset e globalizimit, integrimit dhe rajonalizimit shpien në realitetin e ndryshimeve thelbësore, në vet karakterin e diplomacisë së sotme, modifikojnë strukturat e saj, zgjerojnë rrjetin e aktorëve diplomatikë. Përzgjedhja e rrugëve të zhvillimit, të përcaktimit të aktorëve diplomatikë determinues strategjikë në formatin “trekëndor” të karakterit rajonal apo edhe me të thelluar, atë “pesëkëndor” me karakter global, është duke u njohur komuniteti apo “sovrani” pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Këto fillime po tregojnë se ato do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe në politikën e jashtme, në reformimin e të gjitha institucioneve qeverisëse dhe në veçanti të vetë institutit të diplomacisë shqiptare. Nga ana tjetër, kjo ka ngjallur një polemikë aktive në media lidhur me ri-konceptimin e këtij instituti të diplomacisë por edhe të vet politikës së jashtme në dobi të vendit, të “luftës” tashmë të filluar për pastrimet nga nepotizmi, allishverishet, mitmarrja dhe nëpunësit joprofesionalë në institucionet shtetërore etj., “luftë”, e cila duhet çuar deri në fund nëse duam të dalim tek proceset integruese të vendit.

1. Qeveria merr përsipër rolin e aktorit kryesor e përfaqëson shtetin në arenën

ndërkombëtare dhe gjendet në korrent të të gjitha ngjarjeve transformuese. Këto transformime që duhet të ndodhin në sferën e institutit të diplomacisë dhe të strukturave të saj duhet të jenë të thelluara e të studiuara më së miri. Një  “analist” klasik do të shkruante se shteti (qeveria) nuk është pushteti që do të funksionojë në vakum. Por gjithkush mund të pyesë se çfarë mund të presë realisht “sovrani” nga qeveria e tij. Sa e parashikueshme do të jenë politika e saj e jashtme dhe sa efektive është diplomacia e shërbimi i jashtëm i saj që për gati një dekadë e ca po vuan nga e njëjta sëmundje: nepotizëm e allishverishe, mungesë transparence, klientelizëm, politizim i skajshëm, parë kjo gjithnjë nga një këndvështrim i “sovranit”. Të gjitha këto dhe të tjera që rrjedhin prej saj, realiteti sot e ka të vështirë të gjejë një përgjigje të shpejtë, pavarësisht se tashmë kemi në mazhorancë të majtën, një forme të ekonomisë së tregut dhe një demokraci që funksionon “alla-shqiptarçe”. Në shoqërinë shqiptare ka ende një përplasje mes progresistes dhe regresistes, kjo e fundit vazhdon të mbijetoje në grupime dhe individë të veçantë.   

2. Autoriteti i një shteti do të thotë besim në aftësitë e përmbushjes së detyrave dhe angazhimeve të marra para “sovranit” e më pas para ndërkombëtarëve. Pa një respektim të normave ndërkombëtare diplomacia e politika do të jenë një politikë ose një diplomaci e shpërfytyruar. Obligimet në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare kryhen në kornizat e kësaj të drejte të partneritetit, dypalësh dhe të interesit shumëpalësh, në dobi të vlerave të veta kombëtare. Në të kundërtën, në marrëdhëniet midis shteteve do të mbizotërojë një kaos i vërtetë, i udhëhequr nga individë apo grup aventurierësh, korruptuesish të politikës së jashtme.  Në qoftë se në orientimin kryesor Ministria e Jashtme shqiptare do të vazhdojë të mbaje gjallë “injorancën” në “shërbim”, atëherë do të ishte e vështirë të përcaktohet se nga çfarë idesh do të udhëhiqej në kësi rastesh vet diplomacia, kur deviza e saj dje ishte ende e papërcaktuar qartë, kur udhëhiqeshim nga aksioma “trashëgimi qe nënkupton korrupsion” kur realisht duhet të jetë krejt ndryshe sot “rinovim e profesionalizëm”.

3. Raportet e deritanishme midis diplomatëve politikë dhe atyre profesionalë janë të pajustifikuara dhe nuk i përgjigjen realitetit, që do të thotë se në shërbimin e jashtëm të kërkohet gjithnjë e më shumë personel sipas sektorit që mbulojnë, me pak fjalë, në vend, prej një dekade e gjysmë, po vazhdohet të punohet me një diplomaci informale. Po u referohem vendeve rajonale të formatit-plan “trekëndor” e ato që ndodhen pranë nesh. Italia, është vend mik i Shqipërisë. Diplomacia italiane dhe rrjeti i shërbimit të saj diplomatik zënë vend të rëndësishëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në të gjithë sistemin botëror të shërbimit diplomatik. Pikërisht, në epokën e Rilindjes mes shteteve të copëtuara të gadishullit Apenine do të kryhej transformimi në rilindjen e një diplomacie për nga modeli bashkëkohor e laik. Kjo diplomaci do të trashëgonte traditën e pasur të diplomacisë antike dhe të Vatikanit si një nga diplomacitë me të vjetra në botë. Proceset globalizuese, integruese dhe të rajonalizimit kanë shpënë në krijimin e një realiteti të ri me ndryshime thelbësore, në vet karakterin e diplomacisë së sotme, duke modifikuar strukturat e saj dhe zgjeruar rrjetin e aktorëve diplomatikë. Ne vitin 2011Farnezina (Ministria e Jashtme italiane) festoi 150-vjetorin e ekzistencës së saj. Por ajo që është më e rëndësishmja dhe që i mungon institutit të politikës së jashtme në Shqipëri është bashkëpunim i shkëlqyer dhe i zyrtarizuar midis të gjithë komponentëve të strukturave të saj. Vendi tjetër i “trekëndorit” është Turqia. Ky vend e rekomandoi veten partner të vërtet të Perëndimit e në radhë të parë të SHBA-së. Pas përfundimit të kësaj epoke Turqia arriti të ruante statusin e partnerit strategjik të Amerikës dhe të Evropës, e në cilësinë e vendit dispeçer influencues në vendet e Azisë qendrore dhe asaj të mesme; paraqitet si një autoritet serioz në botën arabe, njëkohësisht ruajti marrëdhënie me leverdi reciproke me shtetin e Izraelit; me përballjen (apo frenimin) e ambicieve atomike të Iranit; vendi që u vu që në fillim të fushatës së Luftës së Gjirit në dispozicion të SHBA-së në realizimin e operacionit ushtarak në Irak; vendi transit e alternativ i resurseve energjetike. Arritjet në zhvillimin e ekonomisë tregojnë se së fundi ajo renditet sipas treguesve ekonomikë në vend të gjashtë në Evropë. Ndërkohë që sipas një  parashikimi analitik, në dhjetë vitet e ardhshme, ajo do të pozicionohet ndër vendet e para lider në këtë rajon; ka një popullsi gjithnjë e në rritje (diçka mbi 80 milionë), ku pjesa dërmuese e zënë mosha e re dhe e aftë për punë, me një rritje të shpejtë tё arsimimit të lartë dhe nivelit profesional, të gjitha këto e nxjerrin Republikën e Turqisë krejtësisht në një kategori tjetër koordinuese në sistemin ekonomik botëror. Këto tendenca treguan se Turqia, hap pas hapi, nga një vend i prapambetur, pak i zhvilluar, u transformua në një nga aktorët e rëndësishëm të politikës botërore.

4. Diplomacia ekonomike apo marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare tregtare, siç njihet ndryshe, është bërë domosdoshmëri parësore në shërbimin e jashtëm. Kjo për shkak edhe të proceseve kalimtare integruese nga njeri stad në tjetrin që lidhen me shumë faktorë gjithëpërfshirës, me gjendjen ekonomike dhe politike të një bashkësie të dhënë rajonale apo në gjithë boten. Globalizimi dhe forcimi i konkurrencës, ndryshimet strukturore ndërkombëtare në ekonominë botërore, dalja e qendrave të reja ekonomike, shoqëritë shumëkombëshe, progresi tekniko-shkencor, të gjitha këto janë faktorë ndikimi shumëplanësh për integrimin e ekonomisë dhe rëndësinë që ka marre plotësimi i nevojave ekonomike, financiare dhe materiale. Veç kësaj, krahas ndikimit në drejtim të imazhit të një vendi, faktori ekonomik, analiza e strukturave dhe zhvillimeve ekonomike kanë peshën e vet dominuese edhe në gjykimin e drejte të shumë proceseve dhe problemeve të sotme politike; ka dhe një ndërthurje dinamike ndërmjet ekonomisë dhe politikës. Në vijim të kësaj, futja e frymës së re në diplomacinë ekonomike pavarësisht nga rëndësia e saj, duke qenë pjesë përbërëse e diplomacisë kontemporane, nuk mund të konceptohet dhe realizohet pa një shtet të fortë dhe bashkëpunim me aktorët e ekonomisë ndërkombëtare e brenda vendit. Këtu mund të nënvijëzojmë disa tendenca të fundit që kanë një emërues të përbashkët në këto dy dekadat e fundit të zhvillimit të integrimit ekonomike rajonale: rritja e shpejtë e numrit të marrëveshjeve tregtare rajonale, që do të thotë se në kuadër të marrëveshjeve të OBT-së gjithë spektri i marrëveshjeve kanë karakter liberalizues dhe integrues duke përfshire edhe marrëveshjet periferike të tregtisë etj; zgjerimi i unionit të integrimit me anëtarë të rinj (siç është rasti i BE-së); përcaktimi i bërthamës së integrimit dhe krijimi pranë tyre i zonave të reja te bashkëpunimit ekonomik me përparësi (me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit të Detit te Zi etj). Për ngritjen e diplomacisë ekonomike në dimensionin e tipit “model”, mendoj që kjo paraqet një sfidë të gjithanshme dhe që kërkon angazhim total, kohën dhe energjinë e nevojshme.

5. Mendoj se diplomati është përgjithësim i profesionalizimit dhe i etikës së një vendi ndaj përvojave negative të ngritura kaq e kaq herë vitet e fundit të diplomatëve të përfshirë në skemat korruptuese apo të skandaleve që nuk është rasti t’i përmendim këtu, gjë duhet të verë përpara përgjegjësisë titullarët e institucionit shtetëror. Ja pse deklaratat e qeveritarëve për politikën e jashtme dhe diplomacinë kontemporane do të mbeten nën vëzhgimin e “sovranit”.

Autori i shkrimit është nga Durrësi, specialist në politikën e jashtme dhe diplomaci, Master në marrëdhëniet ndërkombëtare; Doktor në ekonomi ndërkombëtare dhe diplomaci ekonomike.