TIRANE, 5 tetor 2013 – Jaho Salihi dhe Ismet Haxhia kërkojnë lirinë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Shqiptarja.com bën me dije se të martën e ardhshme kjo gjykatë do të marrë në shqyrtim paditë e paraqitura nga dy shtetasit shqiptarë, të dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

Si Jaho Salihi, ashtu edhe Ismet Haxhia kanë paraqitur disa ankesa pranë Gjykatës së Strasburgut. Ato kanë të bëjnë me shkelje të pretenduara të nenit 6, paragrafët 1 dhe 3 nga pikat a deri tek d (e drejta për të pasur një gjykim të drejtë) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që konsistojnë në mungesën e drejtësisë në procedurat që janë ndjekur ndaj tyre.

Konkretisht, ata pretendojnë se në gjykatat vendase janë pranuar si prova dëshmi të paraqitura në lidhje video, të cilat kanë qenë kontradiktore dhe paraqisnin mungesë besueshmërie, kështu që edhe vendimet e këtyre gjykatave kanë mangësi në arsyetime të mjaftueshme.

Sipas Jaho Salihit dhe Ismet Haxhisë, gjithashtu, avokatëve të tyre nuk iu është dhënë kohë e mjaftueshme për të studiuar dosjen e investigimit dhe nuk u është dhënë as akses për t’u njohur me të gjitha dokumentet e dosjes.

Nga ana tjetër, dy të dënuarit deklarojnë se dënimet kundër tyre janë ri-klasifikuar – nga vrasje me paramendim mbi baza politike, në vrasje me paramendim për hakmarrje – gjatë procedurave të apelimit, pa u dhënë atyre kohë të mjaftueshme që të përgatiteshin.