TIRANE, 5 tetor 2013 – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmed Davutoglu, e nisi vizitën e tij dyditore në Shqipëri me një takim me homologun e tij Ditmir Bushati. Menjëherë pas takimit dy kryediplomatët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku bënë të ditur se në qendër të bisedës mes tyre ishte institucionalizimi i dialogut dhe intensifikimi i bashkëpunimit shumëdimensional shqiptaro-turk, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi zhvillimet rajonale, dhe bashkëpunimi në kuadër të organizmave shumëpalëshe.
Ministri i jashtëm Davutoglu theksoi rëndësinë që Turqia i kushton bashkëpunimit me Shqipërinë, duke shtuar se në kuadër të këtij partneriteti do të zhvillohen edhe mbledhje të përbashkëta mes qeverive të dy vendeve, të kryesuara nga dy kryeministrat, Rama dhe Erdogan.
“Biseduam për hartimin e dokumentit të partneritetit strategjik dhe në të ardhmen do të hidhen hapa në këtë drejtim. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ne dhe parashikon dhe mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive. Kjo tregon rëndësinë që i kushtojmë”- deklaroi ministri turk.
Më tej kryediplomati Davutoglu theksoi se miqësia mes dy vendeve ka qene e qëndrueshme, duke shprehur bindjen se do të vazhdojë të fuqizohet edhe më shumë në të ardhmen. Për ministrin Davutoglu, “suksesi i Shqipërisë është edhe suksesi i Turqisë”.
“Shqipëria është në transformim të vazhdueshëm, gjithçka është në ndryshim, në transformim, urojmë që kjo të vazhdojë. Çdo suksesi Shqipërisë në të njëjtën kohë është sukses edhe për ne. Shqipëria do të ketë gjithmonë përkrahjen e Turqisë për të luajtur një rol më të rëndësishëm në rajon dhe në botë. Gjithmonë jemi bashkë me njëri-tjetrin. Flamujt e dy vendeve do jenë gjithmonë së bashku.”- tha ministri turk.
Bushati: Bashkepunimi me Turqine bazohet në vlerat e perbashketa
Nga ana e tij, ministri shqiptar Ditmir Bushati theksoi se dokumenti për bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Turqi, do të përcaktojë një rrugë më cilësore dhe më strategjike të bashkëpunimit mes dy vendeve, që siç tha ai, bazohet mbi vlerat e përbashkëta që kanë vendet tona dhe rajoni.
Kryediplomati shqiptar falënderoi homologun turk për përpjekjet që qeveria e kryeministri Erdogan ka bërë për realizimin e projektit të gazsjellësit TAP. Ministri Bushati i kërkoi qeverisë turke që të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të patur një degëzim të gazsjellësit edhe në Kosovë.
Më tej ministri Bushati theksoi se “bashkëpunimi mes dy vendeve në përballimin e sfidave që kanë të bëjnë me paqen në rajon dhe në botë është tashmë i certifikuar”.
“Rasti i Sirisë është prova më e qartë e këtij bashkëpunimi. Turqia ka luajtur një rol stabilizues, paqësues dhe demokratik në rajon. Posaçërisht do të doja të falënderoja rolin e qeverisë turke të kryeministrit Erdogan në njohjen dhe konsolidimin e pavarësisë së Kosovës.”- vijoi ministri Bushati.





