TIRANE, 4 tetor 2013 – Dritan Dajti nuk ndalet, por vijon pafund me kërkesat dhe akuzat e tij përballë drejtësisë. Në seancën e sotme, Dajti ka akuzuar trupën gjyqësore për bllokimin e procesit, duke theksuar se avokati Ndue Pejtra ishte i gatshëm ta mbronte, por gjykata nuk pranoi kërkesën e tij për shpërblimin financiar.

I dyshuari kryesor për masakrën e Durrësit ka sulmuar edhe prokurorin e çështjes, duke thënë se po vihet në siklet nga dëshmitë e tij. Nga ana e tij, prokurori ka kërkuar zhbllokimin e procesit gjyqësor, duke i kërkuar njëkohësisht gjykatës të mos lejojë Dajtin të bëjë deklarata mediatike.

Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit po zvarritet pafund, për shkak se drejtësia nuk ka gjetur ende një avokat që të marrë përsipër mbrojtjen e këtij të pandehuri. Të gjithë avokatët kryesisht, që gjykata cakton në këtë proces, refuzojnë të marrin përsipër mbrojtjen e interesave të të dyshuarit si autor i masakrës, duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet.

Duket se seancat do të firmosen me shtyrje, pasi deri më tani rruga e ndjekur nga pesëshja gjykuese për të zgjidhur ngërçin e krijuar ka rezultuar e pasuksesshme. Gjyqi ndaj Dajtit shtyhet prej dy vitesh dhe prokuroria nuk po mundet të paraqesë provat e fajësisë kundër të pandehurit. Dajti akuzohet se ekzekutoi më 7 gusht 2009, pranë pistës Iliria në Durrës, katër oficerë policie, të cilët tentuan t’i vinin prangat pas shtatë vitesh arrati.

Në mungesë të mbrojtjes dhe të Dritan Dajtit i cili zgjodhi të largohej, trupi gjykues vendosi datën 7 tetor për seancën e radhës.