DURRËS, 3 tetor 2013 – Edhe pse pritet zëvendësimi i drejtorit ekzekutiv të kompanisë publike Autoriteti Portual sha Eduard Ndreu, sipas zyrës së tij të shtypit, sekretari parlamentar i shtetit i Ministrisë gjermane të Ekonomisë dhe Teknologjisë z. Ernst Burgbacher (shih foton kryesore) “ftoi drejtuesit e portit për vizitë në disa nga portet e Gjermanisë, si një mundësi bashkëpunimi më shumë mes palëve. Do të keni mbështetjen tonë edhe me tej”. Me sa duket, mesazhi i drejtorit të portit është: gjermanët nuk do të lejojnë të më heqë Rama. Duke shfrytëzuar me shumë zgjuarsi një medie vendore të Durrësit afër tij dhe PD-së, Ndreu (shih foton nr. 2) “ka falënderuar funksionarët e shtetit gjerman, për mbështetjen që i kanë dhënë portit të Durrësit në rrugën e tij drejt zhvillimit dhe tha se pritshmëria që kanë qytetarët nga prezenca e kompanive gjermane që operojnë në port, është e lartë”.
VIZITA
Me sa duket, Ndreu dhe ata që qëndrojnë prapa tij, kanë shfrytëzuar politikisht dhe në mënyrë pragmatiste vizitën që ka bërë më 3 tetor 2013 paradite në port një delegacion gjerman i Ministrisë së Ekonomisë dhe Teknologjisë, i drejtuar nga Sekretari Parlamentar i Shtetit në këtë ministri z. Ernst Burgbacher. Sipas zyrës së shtypit, delegacioni shoqërohej nga një përfaqësi prej 15 anëtarësh të Shoqatës ekonomike Gjermani-Shqipëri, si dhe nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann. Delegacioni u prit nga drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu, i cili prezantoi përmbledhtazi kapacitetet e portit më të madh të vendit, si dhe modernizimin e tij në vite. Z. Ndreu theksoi se konsulenca gjermane është e pranishme në port që nga viti 1998 dhe se ligji për Autoritetin Portual në vitin 2003 është hartuar me kujdesin e studios gjermane “Hamburg Consulting”.Më pas drejtori i APD foli për procesin e dhënies me koncesion të Terminaleve portuale, si pjesë e strategjisë së përcaktuar nga ligji për APD.
FTESA
Sipas medies mësipërme, z. Ernst Burgbacher në fjalën e tij të përshëndetjes tha: “Jam në dijeni që këtu operojnë edhe disa kompani gjermane [janë vetëm dy, dhe ato me bashkëpunëtorë shqiptarë afër PD-së, ish-ministrit Sokol Olldashi dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha – shënim i “Dyrrah”-ut] përmes investimit të tyre dhe shpreh vlerësimin tim për këtë marrëdhënie të ndërsjellë, zhvillimi të ekonomisë. Do të keni mbështetjen tonë edhe me tej. Publikisht ju bëj ftesën për të ardhur në Gjermani, për t’u njohur me portet tona dhe vijimësinë e marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike”. E thënë kështu, del se qeveria gjermane do të ndërhyjë që, jo vetëm të mos anulohet koncesioni aq i lakuar nga shtypi dhe politika shqiptare për terminalin e udhëtarëve, por ta mbajë ende në detyrë Ndreun dhe drejtuesit e tjerë të portit. Delegacioni gjerman nën drejtimin e z. Ndreu zhvilloi më pas një vizitë dyorëshe në terminalet kryesore të portit të Durrësit (shih fotot nr. 3 dhe 4), ku u njoh më nga afër me investimet dhe ndryshimet pozitive në hapësirën portuale.
HESHTJA
Ndërkaq është për të vënë në dukje fakti që zz. Eduard Ndreu, Sokol Olldashi, Sali Berisha, përfituesit gjermanë nuk kanë sqaruar paqartësitë në koncesionet e dhëna në port, sidomos për atë në terminalin e trageteve / udhëtarëve, që e ka përuruar personalisht z. Berisha, ku janë investuar rreth 22 milionë euro. “Dyrrah”-u e ka trajtuar disa herë këtë problem (shih durreslajm.com/politike/
/agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/





