Durrës, 3 tetor 2013 – Edicioni i 6-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës është çelur me një homazh kushtuar një prej aktoreve ikonë të skenës dhe ekranit tonë, Drita Pelinkut. Ndonëse në një periudhë të vështirë krize, festivali nuk e ndërpreu rrugëtimin e vet, duke ardhur para artdashësve të kinemasë në një format tjetër. Ky edicion nuk është një garë, po një retrospektivë e filmave shqiptarë dhe të huaj, i prezantuar nga aktori Timo Flloko, që tashmë është kthyer dhe në aktorin- imazh të këtij festivali. Pas një minute heshtje të mbajtur për Pelinkun, ekrani i madh solli copëza nga pesë edicionet e Festivalit të Durrësit, duke emocionuar pjesëmarrësit me emrat e mëdhenj të kinemasë botërore që kanë qenë pjesë të tij e që kulmuan me Fransis Ford Kopolan. Gjatë ceremonisë së çeljes në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” organizatorët nderuan dy emra të njohur të kinemasë shqiptare, regjisorin Pirro Milkani dhe aktorin Lufti Hoxha. Regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti i dorëzoi “Gladiatorin e Artë” të karrierës, për kontributin e çmuar regjisorial në filmin shqiptar, djalit të Pirro Milkanit, Enos. Duke marrë trofeun në emër të babait, Eno Milkani tha se Pirro donte të ishte vetë i pranishëm në këtë nderim të veçantë, që do t’i bashkohet triumfues trofeve të tjerë të regjisorit, po mamaja e tij dhe bashkëshortja e Pirros kishte vendosur që ta shmangte këtë ardhje për arsye shëndetësore.
Ndërkohë me motivacionin “për figurat artistike të realizuara me dashuri dhe origjinalitet në filmin shqiptar” u nderua me Çmimin e Karrierës edhe aktori veteran i teatrit të Durrësit Lutfi Hoxha. Duke i dorëzuar Gladiatorin e Argjendtë, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, premtoi se pas këtij viti të vështirë financiar, Festivali i Filmit do të rifitojë lavdinë e arritur në 5 edicionet e kaluara. Këtë vit kontributi i bashkisë për realizimin e këtij festivali, që nderon Durrësin dhe promovon vlerat, kulturën dhe trashëgiminë e tij të pasur arkeologjike, ka konsistuar në vënien në dispozicion të skenës së teatrit. Pas ceremonise, publiku pati kënaqësinë të shikonte rishtas filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, që mban firmën e regjisorëve Pirro dhe Eno Milkani. Mbrëmja e së enjtes sjell në Durrës filmin “Diktatori i madh” nga Çarli Chaplin dhe më pas dokumentarin “Aktori që i ngriti vetes monument” nga Kliton Nesturi.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





