Nga Medi Shehu
Në gazetën DITA, të datës 14 dhe 15 Gusht 2013, Z. Fatos Tarifa trajton me përgjegjësi qytetare dhe elokuencë intelektuale efektet sociologjike që po krijojnë universitetet në Shqipëri nëpërmjet masivizimit jokriterial të arsimit të lartë dhe shtrirjes së tyre të pastudjuar në përputhje me kërkesat e ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare. Tashmë, ky është problem shumë serioz në arsimin e lartë në Shqipëri, që sidomos e ka rënduar ndjekja e politikes populiste berishiane e shoqëruar me licensimin pa kriter dhe masiv të universiteteve jopublike. Deri kohët e fundit, këta universitete pothuaj kanë qënë jashtë kontrollit shtetëror për cilësinë e tyre akademike. Sigurisht, edhe në universitet publike progresi akademik dhe cilësor lë për të dëshëruar.
Populli shqiptar është arsimdashës. Familjet shqiptare gjithmonë sakrifikojnë tej mundësive të tyre financiare për të shkolluar fëmijët. Masivizimi i arsimit të lartë luan rol shumë të rëndësishëm për stadin aktual të zhvillimit ekonomik dhe social të Shqipërisë. Por, masivizimi jokriterial i arsimit të lartë, i pastudjuar në përputhje me kërkesat e ekonomisë dhe të shoqërisë, siç është kryer deri tani, ka krijuar jo pak probleme në Shqipëri. Në fjalimin e datës 11 Shtator 2013 në Parlament, Kryeministri Edi Rama tha se …Shqipëria është e gjysmës së më të rinjve analfabetë funksionalë. Tashmë, ky është problem shumë serioz në Shqipëri. Realiteti në Shqipëri flet se korrupsioni ka përfshirë edhe arsimin e lartë. Edhe ciklet më të ulta të sistemit arsimor në Shqipëri, përballen me korrupsion, sidomos atë politik. Ministrja e Arsimit, Zj. Lindita Nikolla, në një deklarim mediatik të saj, u pronocua me të drejtë se prioritet i Qeverisë në arsim do të jetë depolitizimi dhe lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni, ky “kancer” i sotëm i shoqërisë shqiptare, ka dëmtuar jo pak edhe universitetet publike. Si shfaqet korrupsioni në universitete.
Së pari, në vlerësimin e deformuar të studentëve në proçesin e kontrollit të njohurive, në provime.
Së dyti, në mungesën e vullnetit të strukturave drejtuese dhe investiguese të universiteteve për të reaguar ndaj korrupsionit.
Së treti, në emërimet me pagesë dhe ato nepotike të personelit akademik dhe administrativ.
Së katërti, ndonëse në shkallë të kufizuar, korrupsioni ka filluar të prekë edhe strukturat që miratojnë gradat shkencore.
Në fjalimin e datës 11 Shtator 2013 në Parlament, Kryeministri Edi Rama tha se …nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë … me shitblerjet e provimeve…. Ka plotësisht të drejtë sepse thotë absolutisht të vërtetën në universitetet tona. Vlerësimi i deformuar i studentëve gjatë provimeve, është korrupsioni më dëmprurës për cilësinë e dobët të diplomuarve në universitetet shqiptare. Në universitetet publike ka pedagogë të korruptuar që pranojnë pagesa nga studentë të veçuar. Ka studentë që paguajnë për të siguruar vlerësim të deformuar (të pamerituar) në provime. Ky korrupsion i shëmtuar ndodh si në universitetet jopublike, ashtu dhe në universitetet publike. Sot ka studentë të paaftë dhe dembelë që paguajnë pedagogë të korruptuar për t’u përgatitur edhe detyra kursi, projekt diploma, etj. Në media janë deklaruar raste të tilla që në universitet jopublik shqiptar, “student” (i huaj) që nuk është paraqitur fare në auditoret e universitetit duke u diplomuar me pagesë. Vlerësimi i deformuar (i pamerituar) i studentëve qëpaguajnë pedagogët e korruptuar gjatë provimeve, është korrupsioni më dëmprurës në arsimin e lartë. Në se pedagogët e korruptuar vlerësojnë padrejtësisht studentët që i paguajnë si “kalues”, me notë të pamerituar, çfarë të mirë mund të presim prej tyre si edukatorë të brezit të ri ? Megjithëse, pedagogët e korruptuar në universitetet publike shqiptare përbëjnë minorancë në raport me stafin akademik të tyre, dëmi që ata shkaktojnë në cilësinë e përgatitjes së studentëve të diplomuar është me përmasa gjithëpërfshirëse, dëmtim i cilësisë të diplomuarve me afat të gjatë kohor në shoqëri.
Si veprojnë pedagogët e korruptuar në universitete ? Zakonisht, pjesa dërrmuese e pedagogëve, qëkorruptohen nëpërmjet pagesave të paligjshme nga studentët, veprojnë individualisht. Këta pedagogë me ndërgjegje marrin përsipër paturpësinë morale përballë studentëve në auditor dhe opinionit publik, të japin vlerësim te pamerituar për studentin që e ka paguar, duke shkelur të gjitha rregullat e etikës universitare dhe ligjore. Sigurisht, këta pedagogë kryejnë veprën më të rëndë korruptive shoqërore, duke stimuluar dhe mbështetur marrjen e pamerituar të provimeve, si rrjedhojë edhe diplomimin e pamerituar të studentëve.
Por, si veprojnë në realitet pedagogët e korruptuar ? Ata përhapin tek studentët opinionin se disiplina (lënda) që ata didaktojnë është “shumë e vështirë” dhe pa një “ndihmesë” (nënkupto pagesë) vështirë të merret vlerësim pozitiv (kalues) në provime. Ky presion psikologjik “zë vend” veçanërisht tek studentët me përgatitje dhe vullnet të dobët. Si të thuash, është një kontigjent studentësh që ndjekin studimet nëuniversitet sa për tu diplomuar dhe nuk kanë qëllim real studimin serioz dhe përgatitjen sa më të mirë për perspektivën e tyre. Pedagogët e korruptuar “i shënjestrojnë” këta studentë për t’i “zhvatur” pagesën kundrejt vlerësimit kalues (të deformuar) të provimit. Me kalimin e viteve, veprimtaria korruptive e bën “të njohur” tek studentët pedagogun e korruptuar “për stilin e tij të punës”. Pedagogu i korruptuar jo vetëm nuk ndjen pendesë në shpirt për vlerësimet e deformuara që bën në provime për studentët që e paguajnë, por arrin deri aty saqë kërkon pagesë edhe nga studentët që kërkojnë vlerësime me nota më të mira. Pra,fillojnë të denigrojnë studentët që nuk paguajnë duke mos u dhënë atyre vlerësimin e merituar. Pedagogu i korruptuar e din shumë mirë që vepron në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregulloret e universitetit. Për këtë arësye ai fillon të bashkëpunojë me studentë sekserë që e “ndihmojnë” për maskimin e pagesave nga studentët. Sekserët bëhen edhe “informatorë” të pedagogut të korruptuar duke “spiunuar” opinionet e studentëve “rebelë”, të mundëshëm të denoncojnë korrupsionin e tij. Ai kundërvepron duke frikësuar këta “studentë rebelë” me kërcënimin e vlerësimeve negative në provime. Dërgon mesazhin “unë të kam në dorë”.
Por, forma akoma më e rrezikshme e korrupsionit në arsimin e lartë është grupimi i pedagogëve të korruptuar me qëllim “zhvatjen më të sigurt” të studentëve. Në këtë rast, pedagogët e korruptuar “grupohen” për arësyen e vetme se në grup ata ndjehen më “të mbrojtur” nga rreziku i zbulimit të veprimtarisë së tyre korruptive, sidomos kur në grup një prej tyre ka rol drejtues në strukturat e universitetit. Veprimtaria korruptive e grupit të pedagogëve të korruptuar ushtrohet në grup. Ata “ndëshkojnë” më lehtësisht studentët “rebelë” që kanë kurajon të denoncojnë korrupsionin e tyre. Në këtë rast studenti i dobët dhe joluftarak, e ka më të vështirë të përballet me grupin e pedagogëve të korruptuar. Studentët “rebelë” e kuptojnë se me grupin e pedagogëve të korruptuar “nuk mund të luftohet” dhe “duan apo nuk duan” i “nënshtrohen vullnetit” të atyre. Kuptohet lehtë, se korrupsioni në grup i pedagogëve tëkorruptuar është më e vështira për tu luftuar.
A kanë “mbrojtje” pedagogët e korruptuar në universitete ? Njëlloj, si në administratën publike të sektorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare, edhe në universitetet publike, pedagogët e korruptuar “punojnë” për të siguruar “mbrojtje” nga “eprorët” e tyre, në mënyra të ndryshme. Të korruptuarit janë “dinakë” dhe nuk e bëjnë “gabimin” të mos “falenderojnë” eprorin me “kafen” përkatëse, me qëllimin që eprori ta “mbajë në punë pa shqetësime anësore”. Ky “bashkëpunim” bën që faktet e evidentuara dhe të denoncuara kundër korrupsionit tek strukturat drejtuese, “të zhduken, të treten si kripa në ujë”. Akoma më keq, këto denoncime “transmetohen” në opinionin publik të deformuara, si thashetheme pa bazë, tendencioze, si veprime të qëllimshme keqdashëse për pedagogët e “ndershëm” (nënkupto të korruptuar). Synohet që në opinion të “barazohet” pedagogu i ndershëm me atë të korruptuar. Thuhet “të gjithë njëlloj janë”. Kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, por është tepër e dëmshme sepse mbulohet korrupsioni që duhet ndëshkuar. Të korruptuarit, aq më keq kur janë në grup, “përbaltin” personalitetin e të ndershmëve, për më tepër të drejtuesve që kanë vullnet real për ta luftuar korrupsionin. Shpifja baltosëse për pedagogët dhe drejtuesit e ndershëm, të papajtueshëm me korrupsionin, bën që në opinion “të konsiderohen të gjithë njëlloj”.
Nuk mund të ketë cilësi në universitete me pedagogë të korruptuar. Personalisht, mendoj se evidentimi i pedagogëve të korruptuar nëpër universitete është plotësisht i mundur. Mjafton të ekzistojë vullneti i duhur. Në Programin e Qeverise 2013-2017 (faqe 47) thuhet se … institucionet arsimore publike do të gëzojnë mbështetjen maksimale në rritjen e funksionalitetit dhe rreptësisë ndaj rasteve të abuzimit dhe fallsifikimit në arsim.
Roli i studentëve është shumë i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit në universitetet publike.Studentët kanë dijeni për gjithçka ndodh në universitet. Ata dijnë shumë mirë se cilët studentë kanë paguar për të marrë rezultat të deformuar, të pamerituar, në provimet që zhvillon pedagogu i korruptuar. Të afërmit e studentëve, prindër, vëllezër, motra, kushërinj, shoqëria e afërt e tyre jashtë universitetit, janë të njohur me “ankesat” e studentëve për “bëmat” e pedagogëve të korruptuar. Në se studentët do të “hapin” gojën, pra të denoncojnë veprimet korruptive të pedagogëve të korruptuar në instancat drejtuese të universiteteve apo në institucionet shtetërore të luftës kundër korrupsionit, atëhere sigurisht në universitetet publike nuk do të ketë pedagogë të korruptuar. Denoncimet e studentëve duhet të dëgjohen. Të seleksionohen denoncimet serioze, ato që kanë vlerë reale kundër korrupsionit dhe të vazhdohet investigimi më i thellë e më profesional nga strukturat përkatëse shtetërore të luftës kundër korrupsionit. Do të kemi efekt real në luftën kundër korrupsionit në universitetet publike. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë në arsimin e lartë dhe do të paraqiste realisht nivelin e çdo universiteti publik. Deri më sot kjo nuk është bërë, për arësye se nuk ekziston ky vullnet. Akoma ka tendenca nga drejtues në arsimin e lartë “për mbrojtjen” e pedagogëve të korruptuar në opinionin publik. Si të thuash, ka patur një “kujdes” nga ana e tyre të mos përhapen shumë “fjalë” në opinion për korrupsionin në universitetet publike.
Roli i investigimeve është shumë i rëndësishëm në evidentimin dhe zbulimin e pedagogëve tëkorruptuar. Në luftën kundër korrupsionit në universitetet publike, me shumë rëndësi është investigimi serioz për opinionet masive të studentëve për pedagogët e korruptuar, opinione të shprehura zyrtarisht nëpërmjet anketimeve. Akoma më mirë do të jetë në se studentët denoncojnë në organet përkatëse shtetërore të luftës kundër korrupsionit. Shprehja e opinioneve nga studentët dhe publiku i interesuar për punën që bëhet në universitetet publike dhe jo publike, do të evidentojë më mirë dhe qartë korrupsionin në universitetet tona publike. Investigimi i opinionit masiv të studentëve për pedagogët e korruptuar do të jetë i besueshëm, objektiv. Që të bëhet vendimtar dhe dobiprurës ky opinion është e nevojshme të vazhdohen investigimet nga institucionet përkatëse shtetërore të specializuara të luftës kundër korrupsionit. Të jemi të bindur se me këto metoda dhe institucione lufta kundër korrupsionit në universitetet publike do të jetë shumë efikase. Pedagogët e ndershëm dhe drejtuesit e ndershëm nuk i tremben investigimit të opinioneve të studentëve dhe atij publik, duke qënë se ata realisht janë personalitete publike.
Duhet me patjetër të vendoset ndëshkueshmëria ligjore dhe morale për pedagogët e korruptuar në universitetet tona publike. Ndryshe, çdo përpjekje e mëtejshme për rritjen e cilësisë së diplomave në universitetet tona, do të jetë shumë pak efikase. Me këtë rast, më lejohet të deklaroj se nuk mund tëkemi universitet publik cilësor kur ka korrupsion. Cilësia e studentëve të diplomuar në universitetet tona publike do të arrihet vetëm në se pastrojmë këta universitete nga pedagogët dhe drejtuesit e korruptuar. Në Programin e Qeverise 2013-2017 (faqe 23) thuhet se Qeveria jonë do të intensifikojë ndjeshëm luftën kundër korrupsionit, duke çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë.
Në universitetet tona publike ka drejtues dhe pedagogë të ndershëm shumë më tepër se pedagogë të korruptuar.
Rritja e pagave të personelit akademik në universitetet publike është aksion i domosdoshëm i Qeverisë. Për të forcuar luftën kundër korrupsionit në universitetet tona publike, ka rëndësi edhe shqyrtimii mundësisë për rritjen e pagave të pedagogëve në këto universitete. Po të investigohen pagat e pedagogëve tanë me ato të pedagogëve të vendeve fqinjë, do të kuptohet shpejt se është e nevojshme të rriten pagat e pedagogëve në universitetet tona publike. Në Programin e Qeverise 2013-2017 (faqe 48) thuhet se … Qeveria do të sigurojë … dhe përmirësimin e … pagave të personelit akademik, drejt ngushtimit të hendekut me pagat në universitetet jopublike. Kjo masë do të ligjërojë tolerancën zero ligjore dhe morale për pedagogët e korruptuar në të ardhmen në universitetet publike.
Në fjalimin e datës 11 Shtator 2013 në Parlament, Kryeministri Edi Rama tha se …Mësuesi-Mjeku-Polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme. Sa më shpejt të bëhet pastrimi i universiteteve tona publike nga pedagogët dhe drejtuesit e korruptuar, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë. Populli shqiptar kërkon arsim të lartë cilësor dhe të pakorruptuar. Vetëm me vullnet real, të paanshëm dhe serioz në strukturat drejtuese të arsimit të lartë do të arrihet suksesi i shpejtë në luftën kundër korrupsionit në universitetet tona publike. Edhe për këtë u votua më 23 Qershor 2013.
Dr. Ing. Mehdi SHEHU
Universiteti “Aleksander Moisiu” Durres
http://gazetadita.al/nuk-mund-te-kete-cilesi-ne-universitete-me-pedagoge-te-korruptuar/





