2 tetor 2013- “Miratimi i aktit të fundit normativ të qeverisë në mungesë të plotë të transparencës, duke ekzekutuar konsensusin me të cilin ai ishte miratuar në Parlamentin shqiptar, si një ndër tre ligjet, kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat, me qëllimin e vetëm, goditjen e administratës publike profesionale dhe zëvendësimin e saj me militantë partiakë, përbën një ogur jashtëzakonisht të keq, që dëshmon qartë qëllimet e mazhorancës së re dhe qeverisë Rama, për drejtimin e vendit me dhunën e kartonëve jo sipas parimeve dhe strandarteve demokratike, por në shërbim të interesave të ngushta klienteliste”.Ka qënë kjo fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, gjatë takimit të mbajtur me Ernst Reichel, Drejtor i Drejtorisë për Vendet e Evropës Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann. Basha ripohoi gjithashtu vendosmërinë e PD dhe opozitës shqiptare, për të mbështetur me të gjitha forcat, të gjitha hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në BE.Reichel vlerësoi si arritje të rëndësishme të Shqipërisë, realizimin e një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe konform strandarteve në zgjedhjet e 23 Qershorit, si edhe pranimin në mënyrë demokratike të të gjitha palëve të rezultatit të zgjedhjeve.