2 tetor 2013- Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, i ka qëndruar zotimit të tij për të mbajtur në zyrën e Kuvendit dy portrete, edhe atë të Presidentit të Republikës Bujar Nishani, edhe portretin e themeluesit të shtetit, Ismail Qemali. Meta deklaroi ditë më parë se do ta rivendoste fotografinë e Presidentit në zyrë, pasi nuk e ka gjetur atë në mur nga paraardhësja Jozefina Topalli. Dje, gjatë takimit që Meta pati me ambasadorin e shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Abdulrahman Al-Bader, në foton zyrtare, kreu i Kuvendit pozoi pikërisht mes dy portreteve. Më këtë mënyrë, kryetari i LSI-së, njëherësh kryetari i Kuvendit, ka zbatuar pjesërisht vendimin e qeverisë “Rama”, i cili në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave ndryshoi protokollin e shtetit, duke vendosur që portreti i Ismail Qemalit të vendoset në çdo zyrë.