Myftiu Redin Quku: Haxhi është një udhëtim fizik e shpirtëror, në Vendet e Shenjta edhe 4 femra besimtare

DURRËS, 2 tetor 2013 – Të premten, me një avion çarter nisen 11 durrsakë, mes tye edhe 4 femra besimtare në udhëtimin fizik e shpirtëror drejt Vendet e Shenjta, lajmin e bën të ditur myftiu i Durrësit Redin Quku në një intervistë për portalin e Gazetës “Durrah” durreslajm.com. Sipas kreut të myslimanëve të Durrësit, Myftinia në bashkëpunim edhe me Departamentin e pelegrinazhit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për pajisje me vizë, biletë avioni, numra të personalizuar celularë, policën e nevojshme të siguracionit, ka organizuar akomodimin në vendet që do të vizitohen, si dhe ka marrë të gjitha masat me personel teologjik dhe shëndetësor për mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit adhurimor që do të kryhet atje. Ja intervista me e-mail:

– Ç’rëndësi ka pelegrinazhi në Vendin e Shenjtë për besimtarët myslimanë?

Pelegrinazhi ose haxhi, është një prej shtyllave të fesë islame, që konsiston në vizitën e shoqëruar me praktikën adhurimore përkatëse, në Qabe në Mekë dhe Medine. Kryerja e tij është detyrë obligative për çdo besimtar, burrë apo grua qoftë, nëse ia lejon gjendja ekonomike dhe shëndetësore. Pelegrinazhi ose haxhi është një udhëtim fizik e shpirtëror, gjatë të cilit besimtarët përjetojnë ngjarjet më të mëdha historike të njerëzimit, të ndodhura në kohën e babait të të gjithë profetëve, Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të. Gjithashtu vizita e vendeve të shenjta lë gjurmë të pashlyera në zemrën e çdo besimtari, saqë ëndrra e secilit që i viziton ato vende të shenjta, është që kjo vizitë të përsëritet edhe disa herë të tjera, sepse besimtari a besimtarja shikon me sytë e tij, prek me duart e tij dhe shkel me këmbët e tij ato vende nëpër të cilat kanë ecur njerëzit më të mirë të njerëzimit.

– Nëse ka të dhëna disavjeçare, sa besimtarë nga Durrësi kanë shkuar për haxhillëk, të paktën për vitin e kaluar dhe sivjet, në raport me numrin gjithsej si KMSH?

 Mund t’ju themi se vjet kanë vajtur në pelegrinazh 17 besimtarë dhe besimtare, ndërsa sivjet ky numër është 11 persona, prej të cilëve 4 janë besimtare (femra).

– Kur mund të nisen?

Për pelegrinët e myftinive Tiranë dhe Durrës, nisja do të bëhet ditën e premte, më datë 4.10.2013, ora 05:00, nga Aeroporti "Nënë Tereza", me avion të posaçëmcharter.

– Çfarë masash janë marrë nga Myftinia e Durrësit dhe cili është mesazhi juaj?

Myftinia e Durrësit në bashkëpunim edhe me Departamentin e pelegrinazhit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për pajisje me vizë, biletë avioni, numra të personalizuar celularë, policën e nevojshme të siguracionit, ka organizuar akomodimin në vendet që do të vizitohen, si dhe ka marrë të gjitha masat me personel teologjik dhe shëndetësor për mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit adhurimor që do të kryhet atje. Së fundmi, Myftinia e Durrësit lutet që të gjithë pelegrinët tanë, jo vetëm ata të Durrësit por të të gjithë Shqipërisë, të shkojnë e të na kthehen shëndoshë e mirë, si dhe t’u pranohen adhurimet dhe lutjet që do të kryejnë atje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/