Nga Lavdosh Ferruni
Anijet skrap, të ankoruara në bregdetin shqiptar prej ditësh, pa u shqetësuar dhe në mënyrë krejt të jashtëligjshme, duhet të kthehen nga kanë ardhur.Qeveria e re e ka zënë kështu fillin, që duhet ta tërheqë deri në fund për ta shpështjellur lëmshin e plehrave pleksur keqas. Mbërritja në portin më të madh në vend e anijeve skrap, me apo pa dokumente, por me destinacion fare të qartë, është qartësisht skandal.Me këtë lloj skandali u provua që vendimi prioritar i qeverisë Rama për t’i thënë stop importit të plehrave me ligj, e meriton prioritetin që iu dha.Duhet theksuar se edhe në listën e importit të mbetjeve, të quajtur të gjelbër, miratuar nga qeveria Berisha e që është në fuqi akoma, nuk lejohet importi i anijeve për skrap, që zakonisht mbartin dhe një ndotje të rrezikshme me azbest. Atëherë lindin një sërë pyetjesh? A ka një kontratë për këtë biznes të jashtëligjshëm? Nëse ka, kush janë palët? Kush janë dërguesit e kush janë pritësit? Kush janë kontrolluesit në det e në tokë? A mjafton shkarkimi nga puna i një apo disa personave? Janë shumë njerëz që janë në shkelje të ligjit.Një pyetje që natyrshëm i lind çdokujt është: mirë që u panë dhe u zunë 2 anije që erdhën kontrabandë në bregun shqiptar (ka të dhëna që shumë anije mbyten qëllimshëm në Adriatik), po plehrat që vijnë me qindra- mijëra tonelata nga të katër anët në Shqipëri, me anije, me trena, me maune, a kanë sasi kontrabandë brenda tyre (kupto lëndë të rrezikshme e shumë të rrezikshme)? Duke ditur që çdo vend ka leverdi t’i riciklojë vetë mbetjet e veta, atraksioni për të udhëtuar qindra e mijëra kilometra nga Ukraina, Serbia, Italia, Spanja etj, drejt Shqipërisë, është varrosja në Shqipëri e tyre dhe në këtë udhëtim kanë fituar vetëm “specialistët” e varrosjes së plehrave.Kështu ka ndodhur vitet e fundit, por historisë së varrosjes së importit të plehrave në Shqipëri gjithashtu i erdhi fundi.
http://www.gazetatema.net/web/





