TIRANE,30 shtator 2013- Ambasadorja franceze Christine Moro shprehet se administrata ka nevojë për ndryshime, por këto të mos jenë radikale dhe të kryhen vetëm nëse janë të nevojshme. 
E pyetur pas takimit që pati sot paradite me Drejtorinë e parandalimit të pastrimit të parave, Moro komentoi për mediat ligjin për nëpunësin civil. 

"Dua të bëj një koment të shkurtër lidhur me zhvillimet e aktualitetit. Desha të flas për funksionet publike dhe në lidhje me administratën shqiptare. I referohem çështjes aktuale që po diskutohet lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Nuk dua të bëj komente lidhur me këtë çështje pasi janë juridike dhe teknike, por desha të theksoj se duhet të respektohet fryma e ligjit. Dhe thelbi i ligjit është se administrata e lartë, duke u bazuar mbi transparencën, mbi eksperiencën, mbi neutralitetin (paanshmërinë) në lidhje me politikën. Pra është e nevojshme të respektohen këto parime, që tani dhe të ruhet një lloj stabiliteti në lidhje me administratën dhe është e kuptueshme se disa ndryshime janë krejtësisht të ligjshme".

Ambasadorja theksoi se duhet të ruhen fryma e ligjit për nëpunësin civil, por nëse ky ligj duhet të hyjë sot apo nesër në fuqi, sipas saj, për këtë duhet të përgjigjen juristët. 

"Sapo e thashë, janë çështje që janë teknike dhe juridike. Unë nuk jam juriste, specializuar në të drejtën shqiptare. Mendoj se nëse ka një çështje që duhet shtruar është se në se nuk është e mundur të aplikohet ligji tashmë, atëherë përse është e pamundur?!"