DURRËS, 1 tetor 2013– Për shkak të sherreve në këshillin bashkiak midis së djathtës dhe së majtës, nuk u arrit që “qeveria” e qytetit bregdetar të financonte një festival ndërkombëtar filmi, i cili sivjet u katandis “kokoshi një thelë”. Gjithsesi, është fat që të jepen dy filma të huaj të rinj, ai kushtuar dy viteve të fundit të jetës së Princeshës Diana nga regjisori i njohur gjerman Hirshbigel dhe filmi i fundit i italianit Amelio.
Zyra e shtypit e bashkisë Durrës njofton se më 2 tetor 2013 ora 21.00 në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” do të zhvillohet me shumë vonesë ceremonia e hapjes së Festivalit të 6-të ndërkombëtar veror (!) të filmit në Durrës. Ai do të prezantohet nga aktori i njohur shqiptar Timo Flloko, Artist i merituar. Në ceremoninë e hapjes do të jepen dy çmime të karrierës, një për regjisorin Pirro Milkani, Artist i Popullit; tjetri për aktorin veteran të kinematografisë shqiptare dhe trupës së teatrit dramatik të Durrësit Lutfi Hoxha, Artist i merituar. Filmi i fundit i regjisorit të Apenineve Xhani (Gianni) Amelio “L’intrepido” është programuar më 4 tetor ora 19.00 si një mbrëmje speciale e kinemasë italiane, ku do të jetë një mesazh falënderimi nga regjisori aq i debatuar në Shqipëri për filmin “L’America”, si dhe do të jenë të pranishëm në Durrës, on-stage, aktorët Gabriele Rendina dhe Livia Rossi (në foto me Amelion). Do të shfaqet edhe retrospektiva e Çarli Çaplin-it (Charlie Chaplin) me filmin “Diktatori”. Programi është i varfër, pothuajse dështim. Vetëm tre filma konkurrues: 55-minutshi “Aktori që i ngriti vetes monument” i Kliton Nesturit më 3 tetor; 30-minutshi “Dita e fundit e Loro Shestanit” i Sokol Kerajt më 5 tetor; 113-minutshi “Diana” i gjermanit Oliver Hirshbigel (Hirschbiegel), prodhim i vitit 2013. Ky film më 6 tetor mbyll dhe festivalin në Tiranë në kinema “Millennium”, ora 19.30 (shih programin).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





