TIRANË, 1 tetor 2013 – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar sot pas shtyrjes nga qeveria të ligjit të nëpunësit civil duke e cilësuar vendimin si antikushtetues dhe arbitrar.
Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se kryeministri Rama shpërfilli paralajmërin e opozitës dhe hodhi poshtë konsensusin e arritur në Parlament.
“Mbrëmë ky konsensus u qëllua për vdekje me koburen e aktit normativ; me një firmë të vetme, Rama e hodhi poshtë konsensusin. Kjo nuk ndodh në vende që mbështeten në parime të shtetit ligjor. Duke zhbërë me një firmë Kuvendin, Rama e konsideroi atë si “banana- kuvend. Mazhoranca duhet ta kuptoj që konsensusi nuk është çështje numrash por vlerash. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, kërcënon rrugën integruese të vendit dhe riciklon konfliktin politik në vend. Kjo është një situatë e rëndë për demokracinë në vend dhe opozita po përgatit të gjitha hapat e nevojshme”u shpreh Basha.
Kreu i PD-së theksoi më tej se në orët në vazhdim do të mblidhet grupi parlamentar demokrat si dhe aleatët për të vendosur për të gjitha hapat që do të ndërmerren.
“Partia Demokratike është e bindur që duke përdorur të gjitha mjetet ligjore tu ofrojë administratës, anëtarëve që ndihen të kërcënuar asistencën e nevojshme” përfundoi Basha.





