DURRËS, 1 tetor 2013 – Vjen në Shqipëri për të blerë kanabis, me synim, me sa duket, për të qenë dora e parë, duke ua shitur pastaj bashkatdhetarëve në Apenine me çmime tregu, por bie në prangat e uniformave blu të qytetit bregdetar. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit thotë se më 1 tetor 2013, ora 4 e mëngjesit, u arrestua në flagrancë italiani M. P., vitlindja 1980, me banim në qytetin e Ferrara-s (rajoni i Emilia-Romagna-s, Italia e veriut). Por 33-vjeçarit “trengjyrësh” i ra fati i keq, pasi më 30 shtator 2013, ora 23:00, gjatë imbarkimit të tragetit Ventouris Ferris të linjës Durrës-Bari, shërbimet që operojnë në portin e Durrësit në drejtim të kontrolleve antidrogë, përzgjodhën për kontroll automjetin në pronësi të këtij shtetasi. M. P. nuk e dinte se policët shqiptarë janë bërë po aq ustallarë, në mos më tepër, si kolegët e “Çizmes”. Kështu, në auto-veturën e markës Alfa Romeo, me targa BB583TZ, gjatë kontrollit në të 4 gomat, u gjetën 20 pako të mbështjella me natriban. Forcat antidrogë të Durrësit verifikuan se në pakot kishte 21.5 kilogramë kanabis, nisur nga ngjyra dhe karakteristikat. Kuptohet, materialet procedurale të rastit iu përcollën prokurorisë së krimeve të rënda në Tiranë për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





