1 tetor 2013- Organizata “Mjaft” dhe skuadra “Unë votoj” kanë publikuar dje raportin final të monitorimit të Parlamentit, për periudhën shtator 2009 – maj 2013. Vëzhguesit e shoqërisë civile kanë publikuar listën e deputetëve më “llafazanë” dhe më “memecë” të Kuvendit, duke listuar në total 34 ligjvënës. Nga monitorimi janë veçuar 17 deputetë, të cilët kanë marrë pjesë rregullisht në debatet e projektligjeve dhe 17 të tjerë nuk kanë hapur gojën fare në Kuvend. Në krye të listës së deputetëve aktivë është socialisti Erion Braçe, ish-ministri i Financave Ridvan Bode, kreu i Grupit të PS-së Gramoz Ruçi dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa në listën e “memecëve” i pari në listë është ish-deputeti Astrit Bushati, i dyti Lefter Maliqi, Lajla Përnaska dhe ish-socialisti Hazir Gashi. Në listën e deputetëve më pak aktivë janë 8 deputetë, nga të cilët një pjesë e tyre nuk janë më në Kuvend. Ndërsa nga lista e deputetëve më aktivë, vetëm dy deputetë, Enkelejd Alibeaj dhe Selami Xhepa nuk janë më në Kuvend.

Prezenca fiktive

Buxhetit të shtetit në katër vite i është shkaktuar një dëm prej 1 455 000 lekësh të rinj vetëm nga prezencat fiktive të deputetëve në komisionet parlamentare. Skuadra “Unë votoj” ka evidentuar në total rreth 582 emra dhe firma deputetësh të shtuar në procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve, ky veprim vetëm që ligjvënësit të përfitojnë një ditë më shumë krahas pagës. Sipas raportit, procesverbalet janë ndryshuar 132 herë dhe prezenca e deputetëve është krahasuar me fotografitë e vëzhguesve të shoqërisë civile. “Kostot financiare për 582 emrat e shtuar në lista krijojnë një dëm financiar prej 1 455 000 lekësh”, thuhet në raportin për periudhën shtator 2009 – maj 2013.

Të ardhurat

Organizata “Mjaft” ka ngritur si shqetësim mospublikimin e deklaratave të pasurisë së deputetëve nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë. Në raportin final, monitoruesit e shoqërisë civile kanë publikuar të ardhurat e deputetëve nga viti 2009 deri në 2011, por duke mos finalizuar të dhënat e vitit që lamë pas. “Kërkojmë të theksojmë se për deklarimet e pasurisë së deputetëve për vitin 2012, të depozituara pranë Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë në mars 2013, ky institucion, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj, ende nuk ka zbatuar detyrimin e tij ligjor përkundrejt kërkesës zyrtare të lëvizjes ‘Mjaft’ për vënien në dispozicion të këtyre dokumenteve”, thuhet në raportin e “Mjaft”. 



Deputetët në Kuvend
Më aktivë            Më pak aktivë




Erion Braçe            Astrit Bushati

Ridvan Bode            Lefter Maliqi

Gramoz Ruçi            Lajla Përnaska

Sali Berisha            Hazir Gashi

Taulant Balla            Fatos Hoxha

Mimi Kodheli            Mehmet Xheka

Eduard Shalsi            Lefter Koka

Arben Ahmetaj        Kastriot Islami

Edmond Spaho        Amando Prenga

Selami Xhepa            Rudina Seseri

Florion Mima            Paulin Sterkaj

Eduard Halimi            Sadri Abazi

Osman Metalla        Anduel Xhindi

Astrit Patozi            Dashamir Tahiri

Fatmir Xhafaj              Skënder Hasa

Enkelejd Alibeaj         Dashamir Peza

Besnik Baraj              Rrahim Çota