Kroçera the World shërben si komunitet rezidencial, ku pronësinë e kanë banorët / rezidentët e saj. Rezidentët, nga rreth 40 vende të ndryshme, jetojnë në bord, teksa anija udhëton nëpër gjithë globin, duke qëndruar 2-5 ditë në pjesën më të madhe të porteve

DURRËS, 1 tetor 2013 –  Mbërrin “Bota” në portin e Durrësit. Një kroçerë (cruise) nga Florida e SHBA, The World, me 174 turistë nga vende të ndryshme të botës ka mbërritur më 1 tetor 2013, ora 7 paradite në portin e Durrësit, njoftoi zëdhënësja e Autoritetit Portual Durrës, sha Vila Hoxha. Turistët që vijnë kryesisht nga SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Holanda, etj. do të qëndrojnë mbi 40 orë në Durrës dhe kroçera do të niset drejt njërit prej porteve të Malit të Zi të mërkurën në mbrëmje. Anija mbërriti nga Santorini (Greqi) dhe është ankoruar në kalatën 5. Turistët e ndarë në grupe u nisën paradite drejt qyteteve të Tiranës dhe Krujës, ndërsa dy grupe të tjera në drejtimin e guidave të specializuara, po njihen me monumentet dhe muzetë e qytetit antik të Durrësit. Që nga fillimi i muajit shtator në port janë ankoruar tre kroçera dhe dy anije me vela, me një numër të përgjithshëm prej afro 1200 turistësh.

Info

Anija turistike The World vjen për herë të parë në Durrës dhe qëndrimi i saj në port një natë përbën gjithashtu një risi për praktikat e zakonshme të kroçerave. Këto anije turistike vazhdojnë lundrimin gjatë gjithë vitit dhe udhëtarët i bashkohen grupit në porte të ndryshme, siç ndodhi me tre turistë nga Holanda, që filluan turin mesdhetar sot nga porti i Durrësit. Është jaht luksoz, më i madhi në botë, që shërben si komunitet rezidencial, ku pronësinë e kanë banorët / rezidentët e saj. Rezidentët, nga rreth 40 vende të ndryshme, jetojnë në bord, teksa anija udhëton nëpër gjithë globin, duke qëndruar 2-5 ditë në pjesën më të madhe të porteve. Disa rezidentë jetojnë gjithë gjithë kohës në bord, ndërsa të tjerët e vizitojnë periodikisht gjatë gjithë vitit. Ajo operohet nga ResidenSea, me seli në Miramar, Florida (SHBA). Ka 165 njësi akomodimi (106 apartamente, 19 studio apartamente  dhe 40 studio), të gjitha në pronësi të banorëve të anijes. Transporton 100 deri 300 banorë dhe mysafirët e tyre. Me numër identifikimi IMO: 9219331, udhëton me flamurin e Bahamas dhe ka një tonazh bruto prej 43.524 tonë. Anija është 196 m e gjatë, 30 m e gjerë, ka 12 kuverta, dhe një shpejtësi maksimale prej 18.5 nyja (34.3 km/orë). Kapaciteti: mesatarisht 150-200 veta. Ka një ekuipazh prej 250 vetash. Ndërtuar në vitin 2000 nga kantieri detar Fosen Mek. Verksteder A/S in Rissa, Norvegji.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”