Nga Mark Brunga*
Një krijesë delikate si një kukull e bukur prej qeramike, kjo ka qenë një prej komplimenteve publike që anëtari i famshëm i jurisë se spektaklit Italia s got talentGerry Scotti i ka bërë 17-vjeçares shqiptare Anjezë Rruci, e cila ka performuar me numra cirku plastik (contorsionista). Të shtunën në Mediaset, në Canale 5, ajo është paraqitur me mjaft elegancë, duke ekzekutuar disa ushtrime me nivel të lartë artistik dhe ku gjërat ose arritjet e jashtëzakonshme për moshën e re të saj janë paraqitur me shumë thjeshtësi para një jurie pedante të përfaqësuar nga Maria De Filippi, Gerry Scotti e Rudy Zerbi. Kjo thjeshtësi është përçuar njëkohësisht me disiplinën e Cirkut të Tiranës në një terren ku nuk ka qenë i njohur më parë, për shkak të izolimit të vendit në raport me vendet fqinje. Me konsideratën e fituar para jurisë, Anjeza shpreson të arrijë deri në finale. Shtypi italian e ka cilësuar paraqitjen e fundjavës si “Shfaqje spektakolare të Anjeza Rrucit”. Në shkrimet e botuara, për të shuar kuriozitetin e fansave të rinj italianë të saj, thuhet se vajza është 17 vjeçe dhe se është shpërngulur në Grugliasco (Torino). Këtu ndjek mësimet në një shkollë cine-Tv me objektiv regjistrimin në shkollën e cirkut Vertigo, ku punon një kushëri i saj, akrobat plastik i papërsëritshëm. Gjatë performancës mbresëlënëse ajo bëri që si teleshikuesit ashtu edhe juria e programit te impresionoheshin me natyrën spontane të numrave si dhe me natyrshmërinë e paraqitjes. Pyetjes se Maria De Filippit se ç’kërkonte të arrinte më shumë në jetë, 17-vjeçarja nga Tirana i u përgjigj se donte të bëhej akrobate plastike (contorsionista). Gerry Scotti i është drejtuar vajzës dhe spektatorit se kishte parë diçka që s’e kishte emocionuar kurrë kaq shumë. Duke i u referuar një prej numrave, ai theksoi: “Nuk më shkonte mendja kurrë që e tërë pesha e trupit të mbështetej nga goja. Rudy Zerbi, i është drejtuar: “Jam çuditur vërtet me këto gjerat që ke bërë ti. Kishe shumë siguri, thjeshtësi, sa nuk di se si i bëre këto gjëra. Më ke çuditur”!
Biseda
Përshëndetje. Quhem Anjezë Rruci. Jam 17 vjeç. Kam lindur me 27 shtator 1996 në Tiranë. Familja ime përbëhet nga 4 persona, prindërit dhe motra që jetojnë në Tiranë. Në moshën 5 vjeç jam futur në balet. Ishte mësuesja e baletit, e cila më udhëzoi të merresha me cirk duke parë të dhënat dhe aftësitë e mia. Në moshën 7 vjeç jam futur në cirk. Për vite me radhë jam stërvitur në cirkun e Tiranës dhe kam qenë pjesë e trupës së shfaqjeve. Profesori im është Fatos Alla. Jam larguar nga Shqipëria para 1 viti e gjysmë për të vazhduar studimet dhe cirkun në Torino. Studioj në shkollën audiovizive Albe Stainer për regji filmi. Jam në vitin e dytë. Ndërkohë stërvitem në shkollën e cirkut Vertigo. Aspiroj që në të ardhmen të jem pjesë e cirkut Solei. Momentalisht po konkurroj në spektaklin italian Italia's got talent. Fazën e parë të konkurrimit dola me shumë sukses, në të cilën mora tre Po, nga të tre pjesëtarët e jurisë: Jerry Scotti, Maria de Filipi, dhe Rudy. Profili im i cirkut quhet plastike (elastike) në Itali quhem contorsionista. Jam ndier shumë e vlerësuar jo vetëm nga stafi i spektaklit, por edhe nga vet publiku italian. Shpresoj që konkurrimi në këtë spektakël të vazhdojë sa më gjatë. Uroj të kem mbështetjen e shqiptarëve kudo që ndodhen. Faleminderit!
* Autori është gazetar durrsak në të përditshmen Shekulli.
/red. th. m. për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/





