TIRANË, 30 shtator 2013 – Shtyhet për gjashtë muaj hyrja në fuqi e ligjit për “Nënpunësin civil”. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Ligji do të fillojë të zbatohet nga data 1 prill i viti 2014, ndërsa deri në atë datë do të veprohet me ligjin e vjetër të nëpunësit civil.
Gjatë mbledhjes, Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar shumë vendime të marra pas datës 23 qershor, si dhënie  hidrocentralesh me koncesion, disa vendime të Ministisë së Mbrojtjes, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
 Në vendimin për ligjin e “Nëpunësit civil” thuhet:
Akti normativ për disa ndryshime në ligjin "Për nëpunësin civil".Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, duke pasur në konsideratë parashikimet e ligjit nr.152/2013, "Për nëpunësin civil", pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë nenin 70 dhe 72, si më poshtë vijon.
Neni 70
Ligji nr.8549, dt 11.11.1999, "Statusi i nëpunësit civil", dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen nga data e fillimit të shtrirjes së efekteve të këtij ligji.
Neni 72
Ky ligj hyn në fuqi në 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi. Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji zbatohet ligji nr.8549, datë 11.11.1999, "Statusi i nëpunësit civil".
VENDIME TE QEVERISË
Projektvendime për shfuqizimin e një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave, të marra në periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit, që kanë të bëjnë me koncesione në fushën e energjisë dhe burimeve natyrore, si edhe në dhënien e pasurive publike në përdorim enteve private.
Më poshtë, gjeni të plotë rendin e ditës dhe vendimet e plota të marra nga Këshilli i Ministrave:
1. Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE
PROJEKTVENDIME:
2. Për disa ndryshime në vendimin nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
KRYEMINISTRI
3. Për revokimin e emërimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave dhe për shfuqizimin e vendimit nr.310, datë 19.4.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Statistikave”.
KRYEMINISTRI
4. Shfuqizimin e vendimit nr.718, datë 28.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit paraprak për lejimin e punësimit, pas lirimit nga detyra, të një anëtari të bordit të komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”.

LAME DREJTOR I ALUIZNIT
Artan Lame është emëruar drejtor i Aluiznit. Lame zëvendëson në këtë post, Ardian Kollozin.