30 shtator 2013- “Projekti ynë ka të bëjë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore, për ato biznese që punësojnë gratë dhe prodhojnë "Made in Albania". Për çdo punonjës që do të punësohet vitin tjetër, në bazë të konkurrencës, ne do t’u rimbursojmë sigurimet shoqërore atyre bizneseve që i japin përparësi punësimit të rinjve, grave dhe personave me aftësi të kufizuar”.

Kjo deklaratë ka ardhur nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një vizite të mbajtur në një nga kompanitë më të mëdha të fasonerisë në vend. Ai tha më tej se qeveria shqiptare do të krijojë një marrëdhënie të re me biznesin, në mënyrë që ky i fundit ta shohë qeverinë si aleate, si dhe ajo është e vendosur të mbështesë dhe promovojë ato biznese që punësojnë sa më shumë njerëz.Në fjalën e tij, Veliaj shtoi se MMSR-ja do të përpiqet që personat me aftësi të kufizuar, gratë apo të rinjtë, të jenë të privilegjuar në përfitimin nga skema e subvencionit të sigurimeve shoqërore. “E dimë se puna në “Call Center” apo në fasoneri, nuk është puna më e lakmueshme. Por, gjithsesi është më mirë se të punosh në një pikë bastesh, apo të harxhosh kohën në kafe”, tha më tej ai.