30 shtator 2013-Propozimet e FMN për Qeverinë: Gratë të dalin në pension 65 vjeç, kontributet e shëndetësisë të kalojnë te sigurimet.Shtimi i viteve të punës, Naim Hasa: Probleme sociale.“Duhet reformim i skemës, jo rritje moshe për pension”

Shtimi i viteve të punës për të marrë pension sjell probleme të mëdha sociale dhe ekonomike për vendin. Për një shoqëri të re si e Shqipërisë, ka ende vend për rritjen e numrit të të punësuarve, uljen e informalitetit dhe integrimit në skemë të emigrantëve.

 Konkluzionet e ish-drejtuesit të ISSh, aktualisht drejtor në një shoqëri administruese të fondeve të pensionit, janë të ndryshme nga propozimet së fundmi të mbështetura edhe nga FMN. Sipas Naim Hasës, ka ende zgjidhje të tjera për daljen nga kriza e sistemit aktual të pensioneve. Aplikimi i sistemit me disa kolona dhe ndarja e përgjegjësisë dhe detyrimit me sistemin privat është një e tillë. Skemë që ka dhënë rezultat prej shumë vitesh në shumicën e vendeve të zhvilluara të botës.

Gjatë ditëve të fundit po flitet shumë për sistemin e pensioneve. Si paraqitet situata aktuale e pensioneve në Shqipëri?

Aktualisht skema e pensioneve në Shqipëri ka mbi 554 mijë pensionistë, qe përfaqësojnë 19.2% të popullsisë që banon në Shqipëri, tregues ky me prirje të qarta në rritje. Për sistemin e pensioneve sot shpenzohen mbi 71.6 miliardë lekë, që përfaqësojnë mbi 85.2% të shpenzimeve në total për sigurimet shoqërore.

Duke analizuar situatën e pensioneve në Shqipëri, konstatohen se treguesit kryesorë të këtij sistemi janë shqetësues në tri drejtime:

1.Niveli i ulët i të ardhurave (kontributeve) në raport me GDP (4.7% kundrejt 8-10 % te vendeve për rreth nesh)

2.Raport mjaft kritik i kontribuuesve me përfituesit në sistem (1.2 me 1), pra 1.2 kontribuojnë dhe 1 përfiton nga skema, ku raporti optimal duhet të jetë 4 me 1.

3. Raport shumë i ulët pension-pagë në nivel mesatar 30-35%, kundrejt 70-75% norma ligjore.

Në këto kushte, zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të tij edhe në Shqipëri është një domosdoshmëri. 

Si mund të rregullohen këto raporte?

Mendoj se lidhet me tri çështje kryesore, që kërkojnë zgjidhje. 

Së pari. Demotivimi i brezit të ri për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve shoqërore me bazë të gjerë, sidomos të solidaritetit, të cilat në kushte aktuale dhe të perspektivës ofrojnë pensione të ulëta me kontribute të larta. 

Së dyti. Mosfunksionimi i skemave suplementare të pensioneve për një periudhë 12-15 vjeçare në Shqipëri ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit (raportin, pension mesatar/pagë mesatare).

Së treti. Problemet e papunësisë, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë së siguruar në këto 15 vitet e fundit, gjë që krijon një shqetësim të madh social për të ardhmen.

Një ndër zgjidhjet që po artikulohet shumë kohët e fundit, është rritja e moshës së pensionit. A është kjo optimale për Shqipërinë?

Sigurisht, situatat e krijuara bëjnë imediate studimin e rishikimin në tërësi të sistemit të pensioneve në Shqipëri.

Duhet pranuar se funksionimi i sistemit të sigurimeve shoqërore me bazë të gjerë, siç janë sistemet PAYG, është i lidhur shumë si me personat që kontribuojnë në skemë, ashtu dhe ato që përfitojnë nga skema, pra varet nga raporti kontribuues-përfitues.

Që skema të funksionojë mirë dhe pjesëmarrësit në sistem të jenë të kënaqur, ky raport duhet të jetë 4:1, pra 4 veta të kontribuojnë dhe 1 të përfitojë. Por, kur ky raport prishet dhe zbret deri në 2:1, sistemi paraqet vështirësi të financimit të tij.

Në këtë kontekst, rritja e moshave të daljes në pension influencon në përmirësimin e balancimit financiar të sistemit, mbasi zgjat periudhën që personat derdhin kontribute dhe shkurton kohën e përfitimit të pensionit.

Por mendoj se kjo reformë, në këtë fazë, nuk duhet të ketë në fokusin e saj rishikimin e moshave të daljes në pension, me synim rritjen e tyre.

Pse nuk është e përshtatshme?

Po rendis disa arsye kryesore. Në vitin 2002 u bë rritja graduale e moshave të daljes për pension për të gjitha kategoritë e punonjësve, nga moshat 45, 50 e 55 për gratë, sipas vështirësisë së punës në moshën 60 vjeç dhe nga moshat 50, 55 e 60 për burrat në moshën 65 vjeç. Kjo bëri njehsimin me moshat e vendeve të BE, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim. Kjo reformë është në proces, pra nuk ka përfunduar. Çdo vit punonjësve u shtohet mosha e daljes në pension për 6 muaj, për të përfunduar për kategorinë e dytë e të tretë (e zakonshme) në vitin 2012 dhe për kategorinë e parë (gratë 45 vjeç dhe burrat 50 vjeç) në vitin 2023. Pra, sipas akteve ligjore, në vitin 2023 përfundon rritja e moshave të daljes në pension për të gjitha kategoritë e punonjësve. 

Gjykoj që në radhë të parë duhet të përfundojë reforma e ndërmarrë dhe, më pas, kur ajo të përfundojë, të studiohet si do veprohet për moshat në të ardhmen. Me sa jam në dijeni, shumë pak vende europiane kanë mosha të daljes në pension 70 vjeç. Kryesisht ato janë vendet skandinave, të cilat kanë një popullsi shumë të plakur, mbi 50 vjeç mosha mesatare dhe shumë pak papunësi, rreth 2-3%. Përgjithësisht moshat e pensionit fokusohen kryesisht në 65 vjeç dhe pak vende, si Gjermania, Danimarka, po tentojnë t’i çojnë 67 vjeç, por duke krijuar alternativë. Pra, mundësi daljeje para këtyre moshave nëpërmjet sistemeve private.

Çfarë duhet bërë për të shmangur rritjen e moshës? Çfarë efektesh do kishte një hap i tillë?

Nga shifrat e INSTAT, mendoj që Shqipëria nuk e ka shumë problem mplakjen e popullsisë, siç e kanë vendet europiane, çka i ka detyruar të bëjnë rritjen e moshës për të mbajtur ekuilibrin financiar të sistemit. Shqipëria ka një popullsi të re ku mosha mesatare e saj është 31 vjeç, kundrejt 48 vjeç që e ka Europa. Pra, ne kemi kontingjente të reja pune për t’u shfrytëzuar nga sistemi i sigurimeve shoqërore, i cili nëpërmjet politikave shtetërore duhet të fokusohet në thithjen e rezervave që ekzistojnë nga:

a)    Papunësia e lartë, duke hapur vende të reja të punës e, për rrjedhojë, thithja në sistem e këtij kontingjenti.

b)    Puna jo formale, sidomos ajo gri, në nivele jashtëzakonisht të larta, mbi 25-30%, duke vendosur një sistem monitorimi e informimi të njësuar me komponentët e tatimit, sidomos tatimit mbi të ardhurat.

c)    Emigrantët, një rezervë ku përfshihen 32% e popullsisë aktive, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale me vendet ku është ky emigracion, si Greqinë, Italinë, Gjermaninë etj., duke transferuar kontribute që ata paguajnë në vendet respektive ku punojnë.

Nga ana tjetër, mendoj se rritja e moshës së daljes në pension mund të ketë impakte negative për ekonominë e vendit, duke shtuar radhët e të papunëve, kryesisht në brezin e ri produktiv. Si dhe probleme të mëdha sociale, duke i lënë në pritmëri për periudha të gjatë kohe e pa mjete jetese një kontingjent të madh të papunëve, apo personave që janë përgatitur për të dalë në pension.

Pra, ju mendoni se ka rrugë të tjera përveç rritjes së moshës së pensionit?

Reformimi i skemës së sigurimeve shoqërore mendoj se duhet të fokusohet në dy çështje themelore.

Së pari. Konsolidimi i skemës publike shtetërore aktuale të sistemit të pensioneve nëpërmjet reformave parametrike. Që në fillim duhet theksuar që legjislacioni që rregullon marrëdhëniet ne fushën e sigurimeve shoqërore dhe strukturat administruese të tij gjatë kësaj periudhe kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në amortizimin e problemeve sociale të kësaj shtrese. Por, ka mjaft elemente të sistemit të pensioneve, për të cilat koha dikton nevojën e ndryshimit e përmirësimit të tyre, si:

a. Ndryshimi i raportit të pensioneve. Sot ka një kontradiktë të madhe parimore ndërmjet raporteve të pagave që paguhen kontributet dhe pensioneve që merren, çka krijon premisa për pensione të ulëta, pavarësisht nga paga. Në ligjin ekzistues parashikohet që raporti i pagave që i nënshtrohen derdhjes së kontributit, është 1 me 5 (paga maksimale është 5-fishi i pagës minimale), ndërsa raporti pensionit është 1 me 2 (pensioni maksimal sa 2-fishi i pensionit minimal). Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e pagës të kalojë në rishpërndarje dhe pensionet të fokusohen drejt minimales. Mjafton një fakt, sot në strukturën e pagave, pagat minimale zënë 5-8% të tyre, në strukturën e pensioneve, pensionet minimale zënë 60-65 për qind te tyre, me tendencë thellimi.

b. Diferencat e theksuara të pensioneve, brenda së njëjtës kategori, si rrjedhojë e mosindeksimit sipas indeksit të rritjes se çmimeve. Pensionistët në kushte të njëjta, por dalë në momente kohore të ndryshme, megjithëse i njëjti ligj, marrin pensione të ndryshme.

c. Ndryshimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve, duke i lidhur më mirë me kontributet që kanë derdhur, duke hequr kufizimet diskriminuese, „cila të jetë më e vogël”, etj. 

Sot, sipas dispozitave ligjore, për llogaritjen e pensionit nxirren tre tregues mesatarë;

1. Paga mesatare mujore e llogaritur mbi të gjithë periudhën e punës, nga fillimi deri ditën e lënies së saj.

2. Paga mesatare mujore e llogaritur për tre vjet rresht në 10 vjetet e fundit të punës

3. Pensionin maksimal.

Por kur zgjidhet se cila nga këto paga do të llogaritet për pensionin që do merret, në çdo rast merret ai më i vogël.

http://www.panorama.com.al/2013/09/30/zgjatet-mosha-plani-me-fmn-ngrin-rritja-e-pensioneve/