Xhaxhai terrorizonte psikologjikisht nipin 21 vjeç, urdhra të mbrojtjes së menjëhershme për dy femra të dhunuara nga burrat
DURRËS, 30 shtator 2013 – Nuk kursehet dajaku në familje dhe të dielën e bekuar nga zoti. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se të dielën, më 29 shtator 2013, ora 20.00, u arrestua në flagrancë A. J., 45 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi në fjalë dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj nënës se tij 79-vjeçare. Po të dielën, më 29 shtator 2013 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Ç. Gj., 53 vjeç, banues në Ishëm, sepse rreth orës 9 të mëngjesit të së njëjtës ditë, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nipit të tij (djalit të vëllait) 21-vjeç. Ndërkohë, ndaj xhaxhait dhunues u plotësua edhe kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme të të nipit. Krahas procedimeve penale mbi rastet e dhunës në familje, gjatë fundjavës strukturat plotësuan edhe kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për dy femra durrsake, një 30-vjeçare, nga i shoqi E. H., 37 vjeç dhe një 36-vjeçare, banuese nga bashkëshorti i saj Xh. H., 38 vjeç.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





