29 shtator 2013- Një tjetër ngjarje shokuese është përcjellë nga mediat italiane, ndërsa fatkeqësisht viktimë e një rasti abuziv ka rënë një emigrante shqiptare. 19 vjeçarja shqiptare, identiteti i së cilës nuk bëhet me dije, ka denoncuar në polici gjinekologun e saj, me pretendimin se ai ka abuzuar seksualisht me të. Rasti në fjalë ka ndodhur në klinikën "San Gaudenzio" në Novara të Italisë, ku shqiptarja ka denoncuar gjinekologun Carlo Gambaro, 62 vjeç, i cili është vënë në pranga nga karabinierët.

Para hetuesve, e reja ka rrëfyer se mjeku pasi i kishte kryer një ekografi, kishte nisur t’i bënte pyetje personale, për llojin e marrëdhënieve që pëlqente apo për pozicionet që e kënaqnin më shumë. Më pas, mjeku kishte arritur deri atje sa të abuzonte seksualisht me të. Pasi ishte konsultuar me shoqet e saj, ajo kishte vendosur ta denonconte 62 vjeçarin në muajin gusht. Nga hetimet e policisë, duket se ky nuk është rasti i vetëm, ndërsa tre gra kanë marrë guximin të dëshmojnë. Prokurorja e çështjes, Silvia Passoni, është shprehur se: “Tre gra janë përdhunuar në të njëjtën mënyrë në studion e tij. Fakti që tre persona që nuk njiheshin me njëra-tjetrën kanë treguar një version identik të ngjarjes, hedh dyshime se numri i viktimave mund të jetë i lartë. Zakonisht ai sulmonte vajza e reja dhe të këndshme dhe mundësisht të huaja”.

 

http://www.sot.com.al/aktualitet/gjinekologu-italian-p%C3%ABrdhunon-19-vje%C3%A7aren-shqiptare-zbardhen-edhe-3-raste-abuzimi