Shfryhet “tullumbacja” anti-Kurum, fashitet zhurma mbi materialet bërthamore dhe fantazitë e shumta mediatike
DURRËS, 29 shtator 2013 – Më në fund u bënë të gjallë uniformat blu bregdetare mbi operacionin e bllokimit të dy anijeve në kalatën lindore të shtunën. Drejtoria e Policisë së shtetit për qarkun e Durrësit, nën trysninë e medieve, njoftoi se më 28 shtator 2013 u arrestuan në flagrancë dy durrsakë. Janë E. K, 47 vjeç, pronari i anijes “Tabakosky” (emër i pasaktë, i paverifikuar mirë, në regjistrat e IMO-s nuk ekziston – “Dyrrah”-u) si dhe E. Gj, 34 vjeç, kapiten i rimorkiatorit “Aleks 1”, që ka ankoruar anijen “Tabakosky” në Portin e Durrësit. Shtetasit akuzohen për veprën penale “kontrabandë me mallra të tjera”. Anija “Tabakosky” është ankoruar rreth orës 12:00 të së shtunës në Portin e Durrësit, duke përdorur ndihmën e rimorkiatorit “Aleks 1”, pasi Autoriteti Portual nuk i kishte miratuar hyrjen në port. Ndërkohë, nga hetimet e kryera nga strukturat e krimit ekonomik e financiar të Policisë së Durrësit ka rezultuar se për këtë anije nuk janë kryer proceduarat e zhdoganimit. Kjo anije ka mbërritur rreth orës 11.00 në Durrës nga Mali i Zi, me qëllim për t’u shitur për skrap. Strukturat e policisë vazhdojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale, ndërkohë materialet procedurale në ngarkim të këtyre dy shtetasve do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme prokurorisë.
Analizë
“Afera e skrapit”, një fortunal në gotë? Thjesht, një histori banale për gjobë-vënie? Sikurse u nënvizua të shtunën nga “Dyrrah”-u (shih: http://durreslajm.com/aktualitet/policia-ne-port-mister-crime-scene-ne-kalaten-lindore), gazeta, televizione dhe portale kanë dhënë lloj-lloj versionesh nga xhepi, kjo, ndoshta dhe nga heshtja e organeve kompetente. Por as njoftimi i Drejtorisë së policisë shtetit për qarkun e Durrësit nuk është bindës. Nuk ka informacion për skrap, materiale radioaktive bërthamore. Me sa duket, gjithë kjo zhurmë me trajtim konspirativ do të mbyllet shpejt. Ndoshta dhe të ndaluarit mund të lirohen. Në Ministrinë e Brendshme, ku një e përditshme ka akses, ka paqartësi në informim. Thuhej se u shkarkua zëvendësdrejtori i bluve të Durrësit, por kjo e përditshme thotë se burimi, dikasteri, nuk ia konfirmon. Në fillim u përfol kompania turke Kurum, por, sikurse doli më vonë, ajo nuk kishte gisht në të ashtuquajturën aferë të copëtimit të dy anijeve. U tha se anijet vinin nga Kroacia, pastaj nga Mali i Zi. Pati spekulime se “stuhinë” policore e shkaktoi ministria e Mjedisit ose shoqatat mjedisore të Gur-ëve (që flasin për dhjetëra anije në port, kur nuk është e vërtetë). Ka dhe pasaktësi me emra anijesh që nuk figurojnë me numër identifikimi apo IMO. Ndonjë koleg nuk ka haber nga rregullat në port. Përton të shkojë në kapitaneri, ku mund të informohet për pozicionin e anijeve, emrat e saktë, kodet e thirrjes, regjistrimin, datat e hyrjes. Me telefon nuk zgjidhen të gjitha problemet. U raportua se denoncimin e ka bërë administrata detare. Ka shumë hamendje. Ka dhe frikë në administratën detare, kapitaneri, doganë, APD sha, polici kufitare nga lëvizjet e mundshme në personel, prandaj të gjithë fshihen për të informuar, duke mbyllur telefonat. Nuk përjashtohet dhe mundësia që dikush ka dashur të paguajnë “kafe” tek ai, ndryshe njerëzve të pabindur do t’u bëhej gjëma dhe t’u nxirrej boja publikisht.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/