NEW YORK,28 shtator 2013 –Në fjalën e tij të parë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk është imazhi i keq që pasqyrohet në Holliwood, por ajo e njerëzve të mirë dhe punëtorë dhe ai si lider i tyre do të sjellë ndryshimin e premtuar.
“Në këtë forum ne mësojmë se nga kritikat, nga e keqja duhet të vijë dhe e mira. Gjërat e mira mund të vijnë vetëm nga idetë dhe bashkëpunimi. Shqipëria nuk është një fuqi e madhe, është një shtet i vogël, por me potenciale shumë të mëdha. Ka një bukuri të jashtëzakonshme natyrore, njerëz të mirë dhe punëtorë. Sfida ime është që të sjellë ndryshime në mënyrë që ky potencial të vihet në shërbim. Por, për këtëdo të duhet kohë, shumë përpjekje dhe punë, mirëkuptim dhe mbështetje nga ana e miqve dhe partnerëve. Kemi rrugë të gjatë para, por mund të arrihet”, u shpreh Rama.
PROJEKTI MË I RENDËSISHËM: BE
Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi aspiratën për integrimin në familjen e madhe Evropiane si projektin më të rëndësishëm politik, teksa tha se vizoni i tij është Ballkan pa luftra dhe ku mbizotëron bashkëpunimi.
‘Për ne BE përfaqëson projektin më të rëndësishëm politik që bota ka njohur deri më sot dhe ky është projekt që duam ti bashkangjitemi. Nëse BE ka kthyer vëmendjen e tij drejt vendit tonë, të gjithë së bashku, shqiptarë, serb maqedonasit dhe boshnjakët dhe gjithë popujt e rajonit duhet ti mbajmë sytë mbi BE. Ne nuk kemi kohë të harxhojmë kohë, ndaj duhet të harrojmë se bashkëpunimi rajonal i suksesshëm arrin kriteret e BE”, theksoi Rama.
RILINDJA? RAMA: NUK MUND T’IA ARRIJ I VETËM, KAM NEVOJË PËR TË GJITHË
Për të vënë në zbatim projektin e tij të Rilindjes, Rama kërkoi mbështetjen e bashkëpunëtorëve, partnerëve dhe miqve. Kryeministri Rama, u shpreh se: “Ndërsa garoja për postin tim, zgjodha sloganin “Rilindje”, por nuk ishte e vështirë gjetja e fjalëve por kthimi I fjalëve në vepra. Kam besim se do t’ia arrij, por e di që nuk mund t’ia arrij i vetëm, duhet të mësoj shumë dhe kombet janë ato banesa ku gjen mjaft njerëz që të mësojnë, janë vende ku mund të marrësh modele suksesi. Na nevojiten partner, bashkëpunëtorë. Do të duhet kohë dhe këmbëngulje, mirëkuptim nga partnerët, nga bashkëpunëtorët dhe miqtë tanë. E di që duhet lidership, e unë jam I angazhuar, e di dhe besoj se mund të arrihet”.
DACI-THACI I BËNË BALLË PËRGJEGJËSISË
"Shqipëria është e angazhuar që shtete të reja të njohin Kosovës",-tha Rama, teksa ka vlerësuar përpjekjet e kryeministrave Thaci –Daci për avancimin dhe rezultatet e dialogut.
“Arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë starton një epokë të re në Evropën Juglindore. Jo gjithçka është e lehtë, por e vërteta është se kryeministri Thaci dhe Daci kanë ditur ti bëjnë ballë përgjegjshmërisë së vendit të tyre. Mbi të gjitha në një botë të ndërvarur dhe të ndërlidhur si asnjëherë më parë. Shqipëria është e angazhuar për paqe dhe prosperitet në rajon ashtu sic është e angazhuar për njohjen e Kosovës. Ndaj i bëjmë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur të bëjnë kështu. Populli i Kosovës, e meritojnë njohjen e sovranitetit të tyre”, tha Rama.
KRYEMINISTRI RAMA: I EMOCIONUAR DHE KRENAR PËR FJALIMIN NË OKB
Kryeministri Edi Rama lajmëron nga New York-u se sot rreth orës 15:30-16:00 me orën e Shqipërisë, do të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Lajmërimin, kryeministri Rama e ka bëri në profilin e tij “Twitter”, ku shkruan se: “Me shumë emocion, modesti e krenari sot në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB”.
Kryeministri Edi Rama ndodhet prej disa ditësh në SHBA, për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
RAMA NË FORUMIN E LIDERËVE BOTËRORË: EVROPA, NJË DESTINACION BRENDA NESH
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i ftuar i veçantë në Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas zyrës për shtyp të Kryeministrisë, Rama është thirrur për të folur mbi perspektivën evropiane të zgjerimit me vendet e Evropës Juglindore si dhe një axhendë të re për vetë Evropën.
“Evropa nuk është një destinacion pranë nesh, përtej nesh apo jashtë nesh. Ajo është një destinacion brenda nesh. Ajo është demokracia e përditshme në vendin tonë. Ajo përfaqëson vetëdijen se veprimet tona të përditshme si vendimmarrës prekin jetën dhe mundësitë e njerëzve sot, por edhe të gjeneratës së të nesërmes, të gjeneratës tjetër të Evropës”, u shpreh Rama.
Në vlerësimin e tij, çelësi i axhendës së Evropës Juglindore për zgjerimin duhet të jetë ky shqetësim që e ardhmja e përbashkët e gjeneratës tjetër të Evropës po ndërtohet në vendet anëtare po aq sa dhe në vendet kandidate, e po aq sa në vendet potencialisht kandidate, pra në Evropën Juglindore.
Kryeministri Rama nënvizoi se, pyetja që shtrohet nuk është sesi ta bëjmë Evropën Juglindore gati për Bashkimin Evropian, por se si mund të ndërtojmë Evropën e Bashkuar të gjithë së bashku; se si mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët evropiane të gjithë së bashku. “Me marrëveshjen e kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, rajoni ynë mbylli njëherë e mirë një kapitull konflikti duke hapur një kapitull të ri për shqiptarët, shqiptarët e Kosovës, malazezët, serbët, maqedonasit, boshnjakët. Ky duhet të jetë fillimi i veprimit dhe sjelljes si vende kandidate. Dhe të veprosh si vend kandidat do të thotë të mos presësh se çfarë lloj legjislacioni do të të propozojë Brukseli për ta adoptuar atë më pas, paçka nëse e zbaton apo jo”, theksoi Rama. “Sjellja si vend kandidat”, vijoi Kryeministri, “do të thotë të jesh palë aktive si në hartimin e këtij legjislacioni ashtu dhe në transformimin e tij në realitet në vendet tona”. “Sjellja si vend kandidat do të thotë të jesh i orientuar drejt rezultateve në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, tha Rama.
Sakaq, Kryeministri Rama iu është përgjigjur pyetjeve të studentëve të universitetit të Kolumbias të cilët kishin treguar interes të veçantë për këtë forum të udhëhequr nga kreu i qeverisë shqiptare. Në këtë forum më herët kanë zhvilluar të tilla evente Herman Van Rompuy President i Këshillit të Bashkimit Europian, Enrico Letta kryeministër i Italisë, Borut Pahor President i Sllovenisë dhe të tjerë liderë nga e gjithë bota.
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/rama-ne-okb-integrimi-projekti-me-i-rendesishem-politik-kam-nevoje-per-te-gjithe-151139.html





