DURRËS, 28 shtator 2013 – Krerë në drejtorinë e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit kanë mësuar vetëm nga mediet aksionin e forcave të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH) në kalatën lindore të portit të Durrësit rreth orës 12 të mesditës, ku kanë vendosur shiritat e “crime scene” përballë një anijeje (shih fotot). Madje, as ministria e Brendshme, as drejtoria e policisë e qarkut Durrës nuk kanë bërë asnjë njoftim deri në orën 15.45, për më tepër, që, po sipas tri medieve, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka pezulluar zëvendësdrejtorin e bluve bregdetare, Artan Hasanaj, i cili mbulon sektorin e krimit ekonomik. Fillimisht u raportua se kishin ardhur në port dy anije me skrap për llogari të kompanisë metalurgjike turkeKurum. Pati dhe raportime se dy anije të blera në Kroaci për t’u prerë për skrap ishin futur në portin e Durrësit pa leje. “Ky plan është zbuluar nga FNSH-ja duke bërë që ministri i brendshëm, Sajmir Tahiri, të urdhërojë ndalimin e kthimit të anijeve në skrap. Menjëherë pas mbarimit të operacionit, ministri Tahiri urdhëroi pezullimin nga puna të zëvendësdrejtorit të policisë së Durrësit, Artan Hasanaj, me motivin e moszbatimit të detyrës”. Ka pasur raportime se për këtë ngjarje kanë “spiunuar” shoqata të mbrojtjes së mjedisit, që kanë pretenduar se vjen skrap nga importi me orgjinë Ukrainën dhe për këtë arsye janë të rrezatuara me radioaktivitet të mbetur qysh nga koha e shpërthimit të reaktorit atomik të Çernobilit (26 prill 1986). Mësohet se edhe agjencia shtetërore rajonale e Mjedisit paska dhënë alarmin për rrezatimin me “moshë” 27-vjeçare që bartin prokatet e gatshme, hekuri i ndërtimit dhe hekurishtet (skrapi) që sjell Kurum-i nga Ukraina. “Dyrrah”-u nuk nxiton të spekulojë me thënie telefonike, pasi mendon se gjithçka duhet konfirmuar nga burime zyrtare: Ministria e Brendshme (kufiri, FNSH-ja), Ministria e Transportit (Kapitaneria e përgjithshme dhe ajo e portit të Durrësit, ndryshe, “prefekti” i detit; Administrata Detare, Autoriteti Portual Durrës sha), Ministria e Financave (Drejtoria e doganave, Antikontrabanda), Ministria e Shëndetësisë (shërbimi mjekësor në port), pra organe kompetente që quhen ndryshe autoritete portale që bëjnë praktika anijesh dhe që përgjigjen ligjërisht. Pa përjashtuar këtu edhe prokurorinë. Për më tepër që rrugës po vijnë drejt portit të Durrësit dy anije me hekur: Doganay (flamur turk, shih: marinetraffic.com/ais/shipdetails.aspx?MMSI=271002098) me 2195 tonë, që ka njoftuar se mbërrin më 28 shtator dheGulf-Harvest (flamur i Togos, shih: marinetraffic.com/ais/shipdetails.aspx?imo=8421731) me 1550 tonë, që ka njoftuar se mbërrin më 1 tetor 2013, raporton në faqen e vet APD sha. Gjithsesi, gjithë ky aksion "i dekonspiruar" nga segmente shoumene në ministrinë e Tahirit, pa u konsultuar me Kryeministrin Edi Rama që sapo ka takuar homologun  e Ankarasë, mund të rezultojë në një flluskë, pasi nuk është e lehtë të aludosh për Kurum-in, që mban lidhje me qarqet më të larta të shtetit turk.

Info

Kurum Holding, një nga kompanitë prodhuese të hekur-çeliqeve lider në Turqi dhe në Europën Juglindore, përveç veprimtarisë së saj kryesore siç është sektori i hekur-çeliqeve, është një subjekt tregtar i fokusuar në krijimin e vlerave shtesë në shkallë rajonale dhe globale në sektorë të ndryshëm. Themelet u hodhën në vitin 1975 me krijimin e Kurum Demir A.S. i cili filloi aktivitetin e tij në sektorin e prodhimit dhe tregtimit të hekur-çeliqeve. Në ditët e sotme gjendet në pozicionin e një prej aktorëve lider në sektorin e hekur-çeliqeve në Turqi dhe Ballkan. Ka 1 038 punonjësit e punësuar në fabrikat në Turqi dhe Ballkan. Pozicionohet në rajon si një prej prodhuesve të hekurit të petëzuar në të nxehtë, të kalibruar imët dhe me vjaska. Krahas prodhimit të hekur-çeliqeve e shtrin aktivitetin e tij dhe në fushën e prodhimit të gëlqeres dhe oksigjenit (Kurum Industrial Gases ShA.) dhe në shërbimet portuale (Durres-Kurum Shipping ShA). Pjesën më të madhe të lëndës së parë e importon nga Ukraina, Federata Ruse, Ballkani, Lindja e Afërt, Mesdheu dhe vendet e Lindjes së Mesme. Një nga tregjet e jashtme ku fokusohet, është edhe Kosova. Nëpërmjet kompanisë Kosova e Re ushtron aktivitetin në fushën e sigurimeve në këtë vend, pozicionohet midis aktoreve me të rëndësishëm në sektorin e sigurimeve. Ka një kompleks për prodhimin e hekur-çeliqeve me kapacitet 700.000 ton, investimet e të cilit filluan në vitin 2011 në Gjeorgji (sipas sajtit të kompanisë).

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/