TIRANE,28 shtator 2013 – Ish-prokurorja e Përgjithshme Ina Rama konfirmoi dje se nuk ka pranuar të kthehet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. E pyetur nga “Panorama”, ish-numri një i Prokurorisë tha se kthimi i saj në një gjykatë penale do të sillte papajtueshmëri ligjore.
Zonja Rama, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha sot (dje) në një dalje publike se pas përfundimit të detyrës si prokurore e Përgjithshme ju nuk keni pranuar të ktheheni në detyrën tuaj të mëparshme në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. A qëndron ky fakt?
Është e vërtetë që unë kam kërkuar të kthehen në pozicionin e gjyqtares civiliste. Arsyeja e kësaj kërkese është ligjore. Duke qenë se unë kam ushtruar funksionin e prokurores së Përgjithshme për një periudhë 5-vjeçare, unë kam papajtueshmëri ligjore në gjykimin e dosjeve në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Kjo e fundit është një Gjykatë vetëm e karakterit penal dhe nuk ka seksion civil. Papajtueshmëria konsiston në faktin se, gati të gjitha dosjet të cilat janë duke u shqyrtuar në atë Gjykatë, janë iniciuar nga organi i akuzës, kur unë isha në pozicionin e prokurores së Përgjithshme. Pra, nëse unë do të kthehem në atë gjykatë, për të paktën 3 vjet, nuk mund të jem pjesë e asnjë trupe, për shkak të kësaj papajtueshmërie. Për të shmangur këtë konflikt, unë kërkova që të emërohem gjyqtare për çështjet civile.
Në çfarë faze ndodhet kërkesa juaj në KLD?
Nga ana ime kërkesa në KLD është depozituar më 14 janar 2013. Por, nga janari dhe deri më sot, ajo nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit. Kërkesa nuk është caktuar si pjesë e rendit të ditës në asnjë nga mbledhjet e deritanishme në KLD.
Ku e bazoni pretendimin tuaj për të mos u rikthyer në Apelin e Krimeve të Rënda?
Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, pas përfundimit të mandatit, prokurori i Përgjithshëm, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme, ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Në rastin tim, unë kam kërkuar pozicionin e gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë, që është e barasvlershme me atë të Apelit në Gjykatën për Krimet e Rënda.
Aktualisht, cili është funksioni juaj shtetëror?
Për momentin unë nuk kam asnjë funksion shtetëror. Jam në pritje të shqyrtimit të kërkesës sime drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Deri në momentin që ne po flasim, unë nuk kam asnjë komunikim zyrtar.





