MYLUZ, 28 shtator 2013 – Një turk e një greke u arrestuan të mërkurën nga policia gjyqësore e qytetit francez të Myluz-it (Mulhouse), njofton portalilalsace.fr. Më 27 shtator 2013, u akuzuan dhe u burgosën për kodoshllëk (proxénétisme aggravé) një burrë me origjinë turke, dhe mikesha e tij greke, të dyshuar se drejtonin një rrjet prej 8 prostitutash shqiptare, që operonin pas stacionit hekurudhor, në bulevardin Alfred-Wallach (shih foton satelitore) në qytetin Myluz, këta muaj. Një person i tretë, një shofer taksie, që ishte parë disa herë pranë vajzave, u arrestua në të njëjtën ditë para se të lirohej më 27 shtator 2013. Që nga prilli, policia franceze ka vërejtur rritje të numrit të prostitutave shqiptare në Myluz. Të shqetësuar në mënyrë të përsëritur nga sherret mes prostitutave dhe të tjerave në të njëjtën zonë, hetuesit organizuan survejim dhe zbuluan se këta persona bashkëpunonin me të rinj shqiptarë për transportim ose mbrojtje. Hetuesit evidentuan faktet gjatë deponimit të dy të paraburgosurve, të cilët ishin përgjegjës, mes tjerash, për transportimin e vajzave dhe strehimin e tyre si dhe mbulimin e shpenzimeve. Gjatë arrestimit të të dyshuarve në shtëpi, hetuesit sekuestruan 3.400 euro kesh dhe një fletore në të cilën çifti mbante llogaritë, emrat e prostitutave dhe paratë e fituara. Të dy tutorët e dyshuar janë dërguar në prokurori të premten, pasi u akuzuan dhe, për pasojë, u burgosën, në pritje të gjyqit. Njëra nga vajzat, e cila kishte dokumente të rreme, gjithashtu u thirr përpara oficerit të policisë gjyqësore.
Info
Myluz-i (Mulhouse) është qytet dhe komunë në Francën lindore, afër kufirit me Zvicrën dhe Gjermaninë. Me një popullsi prej mbi 278 mijë banorësh në zonën metropolitane, është qyteti më i madh në departamentin e Rinit të Sipërm dhe qyteti i dytë më i madh në rajonin e Alzasës pas Strasburgut.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





