TIRANË,27 shtator 2013- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka sqaruar sot marrëdhëniet me mazhorancën e re, duke hedhur poshtë zërat për përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i shtetit theksoi se edhe pse politika ka tentuar shpesh herë ta bëjë pjesë e ‘luftës’ së saj, ai ka përmbushur detyrat Kushtetuese. 

“Unë nuk kam pasur asnjë përplasje. Kam qenë gjithmonë në përmbushje të detyrave të mia kushtetuese të ruajtjes së integritetit kushtetues dhe simbolik të Presidentit të Republikës. Natyrisht që lufta politike shpesh herë ka tentuar të përfshijë dhe Presidentin e Republikës. Gjithsesi, e rëndësishme është që institucionet të ndërtojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të respektit reciprok kushtetues, të respektit institucional dhe gjithmonë në shërbim të ushtrimit të përgjegjësive të tyre dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Tashmë, pas zgjedhjeve parlamentare, kemi një maxhorancë të re politike e cila përbëhet nga koalicioni i qendrës së majtë, nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, çka do të thotë që për Presidentin e Republikës nuk ndryshon asgjë në përgjegjësitë e tij, në sjelljet e tij institucionale, duke pasur si synim dhe si angazhim gjithmonë mbështetjen e të gjitha reformave që ndërmerren në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, theksoi Nishani. 
Duke iu përgjigjur interesit të gazetares në lidhje me punësimin e zyrtarëve të lartë të ish-kryeministrit Berisha, Nishani sqaroi se bindjen politike nuk ndikojnë në sjelljen institucionale të asnjë individi. 
“Natyrisht të punosh me njerëz që kanë parime apo besime politike të ndryshme nuk është ndonjë shqetësim në demokraci. Mentalitete të tilla të luftës së klasave janë lënë prapa që në vitin 1992 nga shqiptarët. Në presidencë mund të ketë punonjës të cilët në mënyrë individuale kanë bindje politike të ndryshme, kanë besime fetare të ndryshme dhe kjo nuk përbën asnjë shqetësim në një demokraci normale. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që, pavarësisht nëse një president… më konkretisht në rastin tim, që i kam takuar një partie politike si Partia Demokratike në të shkuarën, i besoj parimeve të qendrës së djathtë – kjo është liria e individit – por në asnjë rast këto besime nuk ndikojnë në mënyrën e sjelljes institucionale, nuk ndikojnë dhe nuk do të ndikojnë në përmbushjen e përgjegjësisë të Presidentit të Republikës dhe natyrisht në ndërtimin e një fryme bashkëpunimi midis institucioneve në Shqipëri, çka është një pjesë e rëndësishme e kulturës politike por edhe e asaj që presin qytetarët shqiptarë”, u shpreh Nishani, ndërkohë 
I pyetur rreth debatit të fotos së, e cila me vendim qeverie u hoq nga institucionet, Nishani theksoi “Në këtë rast nuk është e rëndësishme aspak në mënyrë thelbësore pjesa formale, por kultura konstitucionale e shtetit. Natyrisht të gjitha hapat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kushtetutës janë një detyrë dhe përgjegjësi e faktorëve dhe aktorëve të shoqërisë shqiptare”. 
“Cdo hap që do tentoje ndërhyrjen e ekzekutivit dhe politikës përmes shantazhit dhe presionit do jetë e papranueshme”, tha Nishani, duke shtuar sistemi i gjyqësor ka nevojë për reforma të vazhdueshme, pavarësisht arritjeve. 
“Sistemi i drejtësisë në Shqipëri në tërësi dhe ai i gjyqësorit kanë padiskutim nevojë për vijimin e reformave të rëndësishme, për t’u bërë më transparent, për t’u bërë më efiçentë dhe për t’u bërë shërbyes të drejtpërdrejtë të ligjit dhe, përmes ligjit, të qytetarëve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin e kaluar ka arritur standarde mjaft domethënëse të cilat janë pasqyruar jo vetëm në aktivitetin e KLD-së por dhe në vlerësimet serioze të ardhura nga Bashkimi Europian dhe veçanërirsht nga Komisioni Europian. Për herë të parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë vitin që kaloi ka kryer veprimtarinë e tij në promovimin e gjyqtarëve bazuar vetëm në vlerësimin e punës së tyre profesionale dhe vetëm në meritën e gjendjen e tyre integrale në funksion dhe përmbushje të detyrave të tyre. Njëkohësisht KLD ka qenë mjaft serioz në analizimin dhe gjykimin e rasteve të paraqitura para tij nga qytetarë dhe institucione për shkelje të ndryshme dhe veprimtari korruptive të gjyqtarëve. Kanë qenë mbi 12 raste vetëm vitin e shkuar që KLD ka dhënë masa të ndryshme dhe dy prej gjyqtarëve janë përjashtuar përgjithmonë nga sistemi gjyqësor”, tha Nishani. 
Nishani u pyet dhe në lidhje me kërkesën e ish-kryeprokurores Ina Rama për të kaluar gjyqtare në Gjykatën e Apelit, Nishani sqaroi: “Mesa jam i informuar zonja Ina Rama ka bërë kërkesë për të kaluar jo në vendin e saj të mëparshëm të punës, si gjyqtare ne Krimet e Rënda, c’ka nuk është pranuar. Ajo ka të drejtë të aplikojë për Gjykatën e Apelit, por vendimi i mbetet KLD. 

 

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/nishani-skam-perplasje-me-qeverine-bindja-ime-nuk-ndikon-ne-permbushjen-e-detyres-151015.html