26 shtator 2013- Ndërtimet pa leje sjellin përplasje ndërmjet kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Institucioni në varësi të këtij të fundit, siç është Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë, ka filluar 9 procedime penale për “shpërdorim detyre” në ngarkim të punonjësve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Vlorë dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Pas publikimit të lajmit, kryebashkiaku Gjika reagoi duke theksuar se policia vetëm sa po dublon punën e Bashkisë. Ai akuzoi edhe gjykatën për pengimin e prishjeve pa leje nga Bashkia e Vlorës, ndërsa theksoi se nuk kishte dijeni për emra konkretë të inspektorëve të proceduar.
“Unë nuk kam asnjë emër konkret në ngarkim të inspektorëve të Bashkisë së Vlorës, marrë në rrugë institucionale. Më vjen keq që policia po vepron më shumë në mënyrë mediatike, sesa t’i shërbejë zgjidhjes së këtij problemi dhe këtij fenomeni”, u shpreh Gjika. Sipas tij, informacionin për procedimet penale e ka mësuar nëpërmjet mediave. “Bashkia e Vlorës, me firmën time dhe me propozim të Inspektoratit të Bashkisë së Vlorës dhe të Policisë Bashkiake, ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit 185 kallëzime penale për ndërtimet pa leje. Është çuar vetëm një rast për shqyrtim në Gjykatë, janë pushuar 5 çështje nga Prokuroria dhe 179 kallëzime penale janë në sirtarët e Prokurorisë. Të gjitha këto procedime që bën policia janë të mbuluara prej kohësh nga procedurat ligjore deri në kallëzim penal dhe në vendim për prishje nga ana e Inspektoratit. Pra sot Policia e Shtetit nuk po bën gjë tjetër veçse po dublon punën e Bashkisë. Policia e Shtetit të vihet në bashkëpunim me strukturat e Policisë Bashkiake e të Bashkisë Vlorë, dhe të ketë një angazhim më konkret për të rakorduar, me qëllim që kallëzimet që janë bërë një herë nga Bashkia dhe Inspektorati të mos bëhen për herë të dytë nga policia thjesht për shoë apo për mediat”, tha kryebashkiaku Gjika. 
Sipas tij, para një muaji ka qenë vetë në krye të aksionit në Pyllin e Sodës. Por vetëm katër prishjet e para zbatuan dhe në të pestin u stopuan sepse nga gjykata u mor vendim për pezullim të prishjes së ndërtimit pa leje. “Këtu qëndron mospërkrahja dhe moskoordinimi me Gjyqësorin, Policinë dhe Prokurorinë”, u shpreh më tej Gjika. Ndërsa për deklaratën e kryeprokurorit Llala, se “përgjegjësia u takon zyrtarëve lokalë, të cilët kanë lejuar ndërtimin e objekteve të paligjshme”, Gjika theksoi se e kishte mësuar po nëpërmjet mediave. 

 

http://www.panorama.com.al/2013/09/26/ndertimet-pa-leje-ne-vlore-gjika-kunder-ministrit-tahiri/