Ekskluzive / Lëmsh mashtrimi ndërkombëtar bankar, avokati Mirjan Kapo i jep “Dyrrah”-ut dokumente për denoncimin që ka bërë në SHBA, BE etj. ndaj Tan Pavarit dhe bashkëpunëtorëve të tij kryesorë, që e kanë kërcënuar me vdekje atë dhe klientin Niko Bozo: Eftasios Basios (shtetas grek-zviceran); Miami International Bank-Britani; Francisko Sabater Cabanes, Sport Valencia Spanjë; Rosa Del Medico, drejtor i International Financial Holding LTD.; H.S.B.C. Bank, Zvicër; Commerzbank AG Hamburg, Gjermani; Deutsche Bank E 12 Frankfurt am Main, Gjermani; Garanti Bankası A.Ş., Turqi etj

  

DURRËS, 26 shtator 2013 – Lëmsh mashtrimi ndërkombëtar bankar, drejtësia norvegjeze, Interpoli, karabinieria italiane, shpallin një shqiptar në kërkim ndërkombëtar qysh në shkurt 2012, por ende vazhdon i paprekur në mes të Athinës. Fakti bëhet publik për “Dyrrahun” nga avokati durrsak Mirjan Kapo, i cili i ka kërkuar qysh më 29 qershor 2013 drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj të ndërhyjë pranë homologëve grekë për ekstradimin dhe dërgimin para drejtësisë norvegjeze dhe franceze të shtetasit shqiptar Tan Pavari, që jeton i pashqetësuar në Athinë, madje në një adresë publike: Isminis 14, Athinë (shih hartën dhe foton satelitore, pika e kuqe). Deri tani Burgaj nuk ka reaguar ndaj kërkesës së një avokati që kërkon mbrojtje për atë vetë dhe klientin e tij Niko Bozo, që të dy të kërcënuar me jetë nga Pavari, sipas Kapos. Kjo ngjarje ka një ngarkesë të madhe, pasi më 7 shkurt 2012 gjykata dhe prokuroria norvegjeze, sekretariati i Interpolit në Lion dhe karabinieria italiane e kanë shpallur në kërkim, pasi është i dënuar në mungesë në Oslo me 10 vjet burg për mashtrim bankar me vlerë 5 milionë dollarë (shih faksimilen e vendimit të gjykatës së Oslos, njoftimin për Interpol-in dhe karabinierinë italiane). Sipas avokatit Kapo, Pavari “prej disa vjetësh jeton i lirë në Greqi, ku së bashku me disa të tjerë vazhdon një veprimtari të rrezikshme kriminale. Për këtë arsye ai është proceduar prej meje dhe është në ndjekje nga drejtësia franceze. I përkrahur nga politikanë dhe njerëz me influencë në të dy shtetet (Greqi, Shqipëri), ai i shmanget zbatimit të ligjit (shih tekstin e letrës më poshtë)”. Vetë gjykatësi norvegjez në kërkesën për arrest ndërkombëtar shkruan për një “lëmsh mashtrimi ndërkombëtar” (internasjonal svindel floke). Të tilla mashtrime ka bërë dhe në Itali, SHBA. Në Shqipëri, të paktën, ndaj durrsakut Niko Bozo, sikurse rrëfen njëri nga dy dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi me shkrim (shih faksimilen). Në denoncimin që ka bërë avokati Kapo para trupit diplomatik në Tiranë (ambasadorëve të SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Italisë, Turqisë, Zvicrës, Norvegjisë, Indisë, Bullgarisë), thotë se Pavari “bashkë me njerëz të tjerë, në vendet që ju përfaqësoni, ka ndërtuar një grup të krimit të strukturuar me rrezikshmëri të lartë. Duke përdorur instrumente të sofistikuara bankare ata bëjnë pastrim parash të pista. Të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari janë të larta dhe korruptojnë shumë njerëz. Unë kam njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Greqi dhe Komisionin Evropian. Bashkëpunëtorët kryesorë janë:

1.     Eftasios Basios (shtetas grek-zviceran);

2.     Miami International Bank-Londër;

3.     Francisko Sabater Cabanes, Sporter Valencia Spanjë;

4.     Rosa Del Medico, drejtor i International Financial Holding Ltd.;

5.     H.S.B.C. Bank, Zvicër;

6.     Commerzbank AG Hamburg, Gjermani;

7.     Deutsche Bank, E 12 Frankfurt am Main, Gjermani;

8.     Garanti Bankası A.Ş., Turqi etj”.

 “Dyrrah”-u boton faksimile dokumentesh dhe zbardh letrën që Kapo i ka dërguar kryepolicit shqiptar Hysni Burgaj dhe dorëzuar në durreslajm.com.

Dokumenti 1 / Letër Hysni Burgajt

Durrës, më 29.06.2013. Për: Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj. Për dijeni: Ambasadorit të SHBA z. Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE z. Ettore Sequi, Ambasadës së Greqisë, Ambasadës së Francës. Tiranë.

Z. Drejtor, e ndiej për detyrë urgjente t’ju informoj dhe njëkohësisht të kërkoj ndërhyrjen tuaj. Strukturat në varësinë tuaj janë në dijeni të faktit se shtetasi shqiptar Tan Pavari është një i kërkuar nga Interpoli. Ai prej disa vjetësh jeton i lirë në Greqi, ku së bashku me disa të tjerë vazhdon një veprimtari të rrezikshme kriminale. Për këtë arsye ai është proceduar prej meje dhe është në ndjekje nga drejtësia franceze. I përkrahur nga politikanë dhe njerëz me influencë në të dy shtetet (Greqi, Shqipëri), ai i shmanget zbatimit të ligjit. Për këtë veprimtari  të tij dhe shokëve të tij unë kam njoftuar trupin diplomatik dhe Komisionin Europian dhe kam kërkuar mbrojtje. Mbrojtjen e kam kërkuar, sepse ai, personalisht, me anë të telefonit dhe miqve të tij në Shqipëri, ka kërcënuar jetën time dhe të klientit tim, z. Niko Bozo. Ju duhet të ndërhyni pranë autoriteteve homologe të Greqisë. Kjo bëhet e domosdoshme, pasi kërcënimet për jetën vazhdojnë me intensitet. Bashkëngjis këto dokumente: vendimin e gjykatës norvegjeze, letrën dërguar trupit diplomatik, e-mail-in e dërguar nga studioja e avokatisë në Francë, që është dakord për të njoftuar trupin diplomatik, dy dëshmi të shtetasve shqiptarë, e-mail-in dërguar Drejtorisë së Policisë së Greqisë.

Me respekt

Avokat Mirjan Kapo

Dokumenti 2 / Deklaratë

“Datë 9 maj 2013. Unë, i quajturi Julian Prifti, i datëlindjes 22 mars 1980, lindur dhe banues në qytetin e Fierit, deklaroj se njoh mirë: Tan Pavarin, qytetar shqiptar me banim në Athinë, Greqi; Efstathios Basios, me nacionalitet grek-zviceran, banues në Golargo në Athinë, Greqi; Francisco Sabater, Cabanes Sporter Valencia; Aristides Stathatos, shtetas grek me banim në Athinë, në adresën Isminis 14, Athinë, Greqi; Lorenzo Vicentini, italian dhe banues në Itali. Unë kam punuar si shofer i këtij grup në Athinë. Jam në dijeni të të gjitha mashtrimeve që kanë bërë. Jam dakord plotësisht me pretendimet e zotit Nikolla Bozo. Ai ka ardhur disa herë në Greqi për të kërkuar fatin e investimeve të tij. Personat e mësipërm të këtij grupi kriminal më kanë mashtruar edhe mua personalisht dhe nuk më kanë paguar për shërbimet dhe punën që kam bërë si shofer i tyre. Në Shqipëri mësova se Tani është i kërkuar nga Interpoli, por e ndihmon vëllai i Aristides Stathatos-it, i quajtur Kostas Stathatos, banues në zonën Hekali të Athinës, aty ku ushtron aktivitetin e tij tregtar kozmetik. Po ashtu si në rastin e zotit Nikolla Bozo, këta persona kanë mashtruar edhe firma investitorësh shqiptarë dhe amerikanë. Jam i gatshëm në përgjegjësi të plotë të dëshmoj në çdo kohë përpara autoriteteve gjyqësore të drejtësisë evropiane. Julian Prifti”

Diçiturat e dokumenteve:

1.  Faksimile e vendimit të gjykatës norvegjeze të Oslos datë 7 shkurt 2012 që shpall në kërkim ndërkombëtar shqiptarin Tan Pavari me OK të sekretariatit të përgjithshëm të Interpolit Lion dhe Carabinieri Centro di Eccellenza per le Stability Police Units Vicenza

2.  Faksimile e letrës së avokatit Mirjan Kapo dërguar më 29 qershor 2013 drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Hysni Burgaj ku kërkon ndërhyrjen e tij pranë homologëve grekë dhe mbrojtje nga kërcënimet me vdekje

3.  Faksimile e letrës së avokatit Mirjan Kapo dërguar trupit diplomatik në Tiranë ku denoncohen edhe disa nga bashkëpunëtorët e të kërkuarit nga drejtësia norvegjeze

4.  Faksimile e një vërtetimi të lëshuar nga Miami International Bank në Londër ku vërtetohet se Tan Pavari është menaxher financiar i saj për Greqinë me qëllim që ta shpëtojë nga ekstradimi ndërsa sajti i bankës është under construction 

5.  Faksimile e deklaratës datë 9 maj 2013 së dëshmitarit Julian Prifti nga Fieri ish-shofer i grupit në Athinë mbi mashtrimin që Tan Pavari dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë bërë Niko Bozos si dhe investitorëve shqiptarë dhe amerikanë

6.  Harta e vendndodhjes së rezidencës së Tan Pavarit në Ismini 14 Athinë sipas adresës së dhënë nga Miami International Bank në Londër

7.  Foto satelitore e vendndodhjes së rezidencës së Tan Pavarit në Ismini 14 Athinë sipas adresës së dhënë nga Miami International Bank në Londër

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/