DURRËS, 22 shtator 2013 – Treguesit zyrtarë të kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha flasin për një 8-mujor të mbarë të vitit 2013, ku janë përpunuar gjithsej 2 425 767 tonë mallra kundrejt 2 329 890 tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ka një diferencë mbresëlënëse prej 95 877 tonë më tepër (104 për qind). Parë brenda shifrave, vërehet një rritje e jashtëzakonshme e mallrave të eksportit: 1 168 242 tonë në vitin 2013 krahasuar me 878 391 tonë në janar-gushtin 2012. Është një diferencë prej 289 851 tonësh më tepër (133 për qind). Kjo diferencë në eksport ka kompensuar dhe diferencën prej 193 974 tonë më pak (87 për qind) importe. Nisur nga perspektiva e përpunimit të kontejnerëve, edhe këtu paraqiten shifra me rritje spektakolare: 1 026 742 tonë gjithsej në 8-mujorin 2013 nga 720 328 tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rezulton se kontejnerët kanë realizuar mbi 42 për qind të krejt sasisë së mallrave të përpunuara si 8-mujor 2013.

TARA, 16,9 % TË KREJT VËLLIMIT ME KONTEJNERË

Por në raportimin e vëllimit të punës me kontejnerë ka dy mangësi. Së pari, si në import ashtu dhe në eksport raportohet dhe tara (pesha) e kontejnerit, plot dhe bosh. Kështu si 8-mujor 2013 janë përpunuar në import/eksport 72 497 copë TEU plot e bosh. Tara (TEU) peshon 2 400 kg. Një llogari e thjeshtë nxjerr se me 72 497 TEU të kemi një vëllim tare prej 173 992.8 tonësh. Shifra e fundit përfaqëson 16,9 për qind të krejt vëllimit me kontejnerë.

SA NGA DHE DREJT MAQEDONISË DHE KOSOVËS?

Problemi i dytë ka të bëjë me mungesën e informacionit për transitin e kontejnerëve. Pra nuk dihet se sa copë kontejnerë dhe mallra me ta janë përpunuar të paktën transit nga dhe drejt Maqedonisë dhe Kosovës. Pas ndërtimit të autostradës Durrës-Morin dhe përmirësimit të infrastrukturës në drejtim të Qafë Thanës është rritur dukshëm përdorimi i portit të Durrësit nga bizneset në Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë gjatë vitit 2013. Kështu, nëse gjatë 8 mujorit 2012 kanë ardhur nga importi 28 361 TEU dhe gjatë 8-mujorit 2013 kanë ardhur 36 657 TEU (ose 8 296 copë më tepër) sa i takonin transitit vjet dhe sa sivjet. Shifra e saktë duhet për të parë se sa realisht kanë ndikuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë rritja e vëllimit të punës me kontejnerë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/