DURRËS, 22 shtator 2013 – Rreth 45 mijë migrantë kanë ardhur për 20 vjet në Durrës. Shqiptarët e krahinave të varfra në vitet 1990, me t’u çliruar nga kufizimet e regjimit komunist, vërshuan drejt Tiranës dhe Durrësit. Në këtë pikëpamje, qyteti bregdetar u bë një “American Dream”. Programi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës MATRA, që ka bërë një studim për bashkinë e Durrësit në vitin 2011, në grafikun e mëposhtëm tregon lëvizjen e popullsisë nga 11 rrethe të tjera në drejtim të rrethit të Durrësit deri në 2011. Siç tregon grafiku, shumica e fluksit të emigrantëve është nga rrethet veriore të Shqipërisë (52,7 për qind) e ndjekur nga migrimi nga zonat jugore (27,5 për qind) dhe një sasi të konsiderueshme nga rrethet e Shqipërisë qendrore (19,8 për qind). Duke iu referuar qyteteve, numri më i lartë i emigrantëve është me origjinë nga Dibra (24,5 për qind), Kukësi dhe Elbasan që së bashku përbëjnë 51,1 për qind të totalit. Vetëm nga këto rrethe, llogariten të kenë ardhur sipas grafikut gjithsej 44 859 migrantë. Sipas dr. Lindita Kirit nga universiteti publik “Aleksandër Moisiu”, Durrësi, si zona e dytë më tërheqëse pas Tiranës, ka më shumë se 18 për qind të migrantëve, mbi 50 000 vetë. Afërsisht 36.5 për qind (92 300) e migrantëve jetonin në prefekturën e Kukësit dhe të Dibrës në 1989; 70 për qind e migrantëve nga Kukësi dhe Dibra shkuan në Tiranë dhe 20 për qind në Durrës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
.





