TIRANË, 22 shtator 2013 – Zona malore jugore e vendit karakterizohet nga një veprimtari e shpesh sizmike. Më 21 shtator 2013 ora 18:52:38 GMT ose 20:52:38 (sipas orës kohës verore të Shqipërisë +2) rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar lëkundje të lehta toke. Tërmeti ka pasur një forcë M=2.3, me epiqendër në thellësinë 6 km. Sipas sizmologëve-gjeografë të Universitetit publik Politeknik, dukuria tektonike ka ndodhur në një largësi 13 km në vijë ajrore në verilindje të fshatit Borsh të rrethit të Sarandës në koordinatat 40.08°V, 20.01°L (shih etiketën në hartën nr. 1, pika e kuqe). Më saktësisht, me google earth, ngjarja sizmike, bazuar mbi koordinatat e mësipërme, evidentohet në rrethin e Gjirokastrës (shih hartën nr. 2 pika e kuqe), midis fshatit Fushëbardhë (ku ka lindur ish-kryeministri komunist Adil Çarçani, 1922-1997) të komunës së Cepos (që drejtohet nga koalicioni i Sali Berishës) dhe qafës së Skarficës (shih hartën nr. 3 pika e kuqe). Tërmeti ka rënë në një shpat mali në lartësinë mbi 700 metra mbi nivelin e detit (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër).
Info
Komuna Cepo (rrethi i Gjirokastrës) përfshin fshatrat Fushëbardhë, Zhulat, Taroninë, Mashkullorë, Palokastër, Çepun, Kodër, Plesat, Kardhiq, Prongji, Humelicë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





