VLORE, 22 shtator 2013- Policia e Vlorës nisi procedimin penal për katër inspektorë të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) të Bashkisë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Këto 4 procedime kanë filluar për 4 raste të ndërtimeve pa leje në qytetin e Vlorës, të cilat janë evidentuar nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë te Qarkut Vlorë dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Të penalizuarit nuk kanë ndërhyrë për të realizuar procedurat e bllokimit të këtyre ndërtimeve, në kundërshtim me çka parashikohet në kuadrin ligjor për kompetencat e këtij shërbimi, Kjo masë e policisë u paralajmërua pak javë më parë, pas ndërhyrjes për bllokimin dhe sekuestrimin e disa ndërtimeve pa leje në qytetin e Vlorës.
Gjatë muajve të fundit, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut kanë penalizuar dhe kanë referuar në prokurori materialet përkatëse për 150 raste të ndërtimeve pa leje. Nga këto, për 10 raste për të cilat kanë përfunduar hetimet, gjykata ka vendosur sekuestrimin e trojeve dhe ndërtimeve të paligjshme, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 30 milion euro. Mes tyre përfshihen një objekt shumëkatësh në ndërtim, me një sipërfaqe prej 1 200 m², në lagjen “Pavarësia”, një objekt në ndërtim me një sipërfaqe prej 500 m², në vendin e quajtur “Tre Racat”, objekt në ndërtim e sipër me një sipërfaqe prej 169 m², në hapësirën e portit, një pasuri prej 20 039 m² truall i ndodhur në vendin e quajtur “Pylli i Sodës” Vlorë dhe përfituar në mënyrë të kundërligjshme etj. Burime zyrtare të policisë Vlorës bëjnë me dije se 4 procedime penale kanë filluar për 4 raste të ndërtimeve pa leje në qytetin e Vlorës, të cilat janë evidentuar nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë te Qarkut Vlorë dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.





