21 shtator 2013- Niko Peleshi, zëvendëskryeministër i qeverisë së re pak ditë para fillimit të punës në Kryeministri, prezantohet në këto foto familjare me bashkëshorten Amarda dhe tre fëmijët, Aleksian, Stivin dhe Johanin. Peleshi, i cili prej vitit 2012 është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, ka lindur në Korçë dhe më 11 nëntor feston 43-vjetorin e lindjes. Ai i ka postuar vetë fotot familjare në facebook, të shkrepura në oborrin e shtëpisë së tij në Korçë, pak para zgjedhjeve të 23 qershorit. Karriera politike e z. Peleshi nisi në tetor të vitit 2004, kur u emërua prefekt i qarkut në qytetin e Korçës, funksion që e ushtroi për një vit. Në vitin 2005, u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007 u zgjodh kryetar Bashkie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe një herë si kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-s. Në vitin 2013, Peleshi u zgjodh anëtar me të drejta të plota i Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Niko ka kryer  studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në jetëshkrimet e ministrave të kabinetit të ri qeveritar u veçua së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, për zotërimin e Medaljes së Artë.

/panorama plus/