Më 19 shtator 2013 kompania shtetërore e naftës SOCAR ka kontraktuar me 9 kompani gjithsej 10 miliardë metra kub gaz, me të cilin do të furnizohet Evropa nga Shah-Deniz-2. Në këto kontrata nuk është marrë në konsideratë Shqipëria
BAKU, 21 shtator 2013 – Sikurse është bërë e ditur, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ndodhet për vizitë në Baku të Azerbajxhanit. Por, me sa duket, nuk ia kanë “varur”, pasi deri më 22 shtator 2013 nuk ka njoftime për pritje nga zyrtarë të lartë. Portali azerbajxhanas fineko/abc.az, njofton se, sikurse deklaroi më 19 shtator 2013 Elshad Nasirov zëvendëspresidenti i kompanisë shtetërore të naftës SOCAR, ministrin shqiptar të Energjetikës e dërgoi në kryeqytetin azer Baku kryeministri i Shqipërisë me porosi që të mund të bënte bisedime (për furnizimet me gaz). “Problemi konsiston në faktin se në Shqipëri nuk ka infrastrukturë për transportim gazi. Ky vend nuk ka gaz ashtu si dhe Mali i Zi. Tani për tani ne nuk kemi pse nënshkruajmë kontratë për shitje gazi. Atje nuk ka infrastrukturë, por Shqipëria është e interesuar që SOCAR-i ose kompani të tjera të interesuara mund që gjatë kohës së furnizimit me gaz nëpërmjet Shqipërisë të ndërtonin infrastrukturën e rrjetit shpërndarës të gazit, që ta dërgojnë deri në konsumatorë konkretë ose deri në objekte industriale, në mënyrë që Shqipëria gjithashtu të bëhet tregu ynë. Ne jemi të interesuar vetëm që sa më i afërt të jetë tregu, aq më i lartë është fitimi neto për të gjitha palët”, – tha E. Nasirov. Sipas tij, SOCAR-i është marrë vesh për këtë gjë me kryeministrin e mëparshëm dhe do të bisedojë me kryeministrin e ri të Shqipërisë. “Shqiptarët i përmbahen linjës së mëparshme strategjike: Shqipëria do të blejë gaz nga konsorciumi “Shahdeniz” ose nga Azerbajxhani. Na duhen edhe 6 vjet që të transportojmë gaz nëpërmjet Shqipërisë. Prandaj nuk ka kurrfarë kuptimi të ndërtojmë infrastrukturë që ajo të ndryshket. Tani do të krijojmë grupe pune, të cilat do të studiojnë vëllimin e përgjithshëm të tregut, kujt do t’i nevojitet konkretisht ky gaz në varësi të kushteve klimaterike”, – tha Nasirovi. Po më 19 shtator 2013 Azerbajxhani ka kontraktuar me 9 kompani (Shell, Bulgar gas, DEPA, Gas Natural Fenosa, EON, Gaz de France, Hera, Enel, Axpo) gjithsej 10 miliardë metra kub gaz, me të cilin do të furnizohet Evropa nga Shah-Deniz-2. “Në këto kontrata nuk është marrë në konsideratë Shqipëria, asaj do t’i jepet vëllim shtesë. Megjithatë, vëllimi i kontraktuar i gazit është gjithmonë plus ose minus 10-15 për qind. Për më tepër që Shqipëria do të fillojë të blejë gaz me sasi të vogla. Kur konsumi do të rritet, atëherë do ta marrim në konsideratë”, – tha Nasirovi. Për sa i përket fitimit të supozuar, Elshad Nasirovi nënvizoi se prognozat nuk janë fort të përshtatshme, sepse gazi sot kushton 450 dollarë për 1 mijë metra kub, kurse pas 10 vjetësh do të kushtojë minimumi njëmijë dollarë. “Shuma e deklaruar prej 200 miliardë dollarë – është e ardhura totale e përafërt e konsorciumit" Shah Deniz ", shtetit dhe aktorëve të tjerë nga shitja në Evropë e gazit azerbajxhanas në një vëllim deri 10 miliardë metra kub në vit gjatë 25 vjetëve”, – tha E. Nasirovi. Transportimi i gazit azerbajxhanas nëpërmjet Shqipërisë në Itali me anë të gazsjellësit TAP do të fillojë në vitin 2019.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





