Emisioni “Fiks Fare” zbardh dialogun mes kreut të qeverisë dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Kryeministri: Si t’u duka? Në rregull ishte? Guvernatori: I papam!

Emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel zbulon dialogun mes Kryeministrit Edi Rama dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë konferencës me temë “Forcimi i lidhjeve në Europën Juglindore; piketat e politikave dhe perspektiva e biznesit”. 
Dialogu mes tyre mund të dëgjohet për shkak se mikrofonat në tryezën e panelit ku ishin ulur Rama e Fullani ishin ende të hapur. Përpara se Kryeministri Rama të merrte fjalën për t’iu drejtuar të ftuarve në konferencë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë i është afruar duke i thënë se do t’i japë disa të dhëna për t’i përdorur gjatë fjalimit. “Do të të jap edhe nja dy gjëra kryesore që t’i kesh parasysh për problemin që do të diskutojmë këtu”, i është drejtuar Fullani Ramës. Momenti i dytë i komunikimit mes tyre është në përfundim të fjalës nga ana e Kryeministrit. Pasi ka zënë vend në panelin e konferencës, kreu i qeverisë i ka kërkuar mendim guvernatorit se si i është dukur fjala. “Si t’u duka? Në rregull ishte?”, e ka pyetur Rama kreun e Bankës. Nga ana e tij Fullani i është përgjigjur me fjalët: “I papam fare”. Gjatë konferencës ka pasur, sipas “Fiks Fare”, edhe një moment të tretë të bisedës mes tyre. Guvernatori i ka kërkuar kreut të Ekzekutivit të gjente mundësinë të takonte për pesë minuta dy përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar që ndodhen në Shqipëri. “Në qoftë se dëshiron pesë minuta të takosh dy të FMN-së, është ky greku. Dy minuta”, i ka thënë Fullani Ramës. Sipas asaj që dëgjohet nga mikrofonat e hapur, Rama ka kërkuar të dijë nëse takimin do ta bënte në ato momente apo kur të përfundonte konferenca. Përgjigjja e guvernatorit ishte: “Kur të kesh kohë ti pesë minuta, nuk ka problem”. Në fjalimin e mbajtur në konferencë Rama ka ripërsëritur bindjen dhe angazhimin për një audit ndërkombëtar të financave të vendit. Kryeministri theksoi se ky auditim do të bëhet nga një prej katër kompanive më të mëdha ndërkombëtare dhe do të paraqesë pasqyrën reale të ekonomisë dhe të raporteve të shtetit me paratë publike dhe atë private.

Dialogu Rama-Fullani
Ardian Fullani: Do të të jap edhe nja dy gjëra kryesore që t’i kesh parasysh për problemin që do të diskutojmë këtu. 
Edi Rama: Ok!

***
Në përfundim të fjalës në konferencë të Kryeministrit.
Edi Rama: Si t’u duka? Në rregull ishte?
Ardian Fullani: I papam fare. 

***
Ardian Fullani: Në qoftë se dëshiron pesë minuta të takosh dy të FMN-së, është ky greku, Dy minuta. 
Edi Rama: Tani apo pastaj?
Ardian Fullani: Kur të kesh kohë ti pesë minuta, nuk ka problem