DURRËS, 21 shtator 2013- Forumi i durrsakëve një nismë që nisi në rrjetin social „Facebook“ pak vite më parë, pas Ditës së Durrsakëve vjen me një tjetër propozim që synon të promovojë të qenit bashkë për një shëndet të mirë përmes lëvizjes fizike. Drejtuesi i Forumit Indrit Nina bën të ditur për agjencinë e lajmeve „Dyrrah“ se Bordi i këtij forumi ka propozuar organizmin e Maratonës Ndërkombëtare të Durresit, një aktivitet sportivo-kulturor që do të mundësohet në pranverën e vitit të ardhshëm."Ky do të jetë një eveniment i madh sportiv që ka si synim të gjallërojë jetën sportive dhe kulturore të Durrësit. Në bazë të idesë ka nisur puna për hartimin e projektit që do t’i dorëzohet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkisë së Durresit dhe për dijeni Kryeministrit Edi Rama. Maratona Ndërkombëtare e Durrësit do të sjellë në panoramën sportive dhe kulturore të qytetit tonë të dashur një risi të re. Forumi i Durrsakëve ka nderin që të jetë promotor i kësaj veprimtarie të madhe për të cilën do të kujdeset që të ketë dhe një jehonë të gjerë, për t’i dhënë Durrësit vendin që i takon në pellgun e Mesdheut dhe më gjerë.”- tregon Nina. Mbjellja e fidanit të një peme do të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ideatorët ftojnë dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale, si dhe subjekteve të ndryshme që të përkrahin këtë nismë që kërkon t’i japë një frymëmarrje të re dhe veprimtarive të tyre përgjatë kohës së zhvillimit të saj dhe më pas përmes promovimit. “Është koha që Durrësi, të jetë në rradhën e parë sepse e meriton.”- përfundon ai, ndërsa ka nisur faza e parë që do të ccojë drejt saktësimit të detajeve deri në konkretizimin e idesë së Maratonës. Një hap i parë drejt një ngjarjeje që kërkon të shtrihet në kohë.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





