21 shtator 2013- Prej disa ditësh, ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë një zyrë në qendër të Tiranës. Çdo ditë, nga mëngjesi, deri rreth mesditës z.Berisha bën rrugën nga pallati shumë katësh, qendrën tregtare "ABA Center" drejt banesës së tij, pak minuta më larg, pikërisht në rrugën "Mustafa Matohiti". I pashoqëruar nga eskorta dhe makinat e policisë, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, dje iu drejtua zyrës së re diku rreth orës 9:30 dhe nuk doli që andej deri në orën 14:00. Poshtë tek hyrja nuk shihej asnjë nga shoqëruesit e tij pavarësisht se ai gëzon statusin e ish-kryeministrit dhe duhet të ruhet nga 4 shoqërues. Në hyrje të portës e pret një makinë me targat TR 92628 dhe njëri nga shoferët që ka patur kur ishte kryeministër. I veshur me pantallonat ngjyrë bezhë dhe xhaketën e zezë, Berisha zbret nga ashensori dhe në dalje përshëndet qytetarët që ndodhen rastësisht afër ndërtesës dhe "rrufeshëm" hipën në makinën e re. Automjeti nuk është ai për të cilin u fol para pak ditësh se z.Berisha, kërkoi që t'i vihet në dispozicion për një periudhë të pacaktuar një makinë të Ministrisë së Shëndetësisë. Në një kërkesë të drejtuar Halim Kosovës dhe të firmosur nga Gjergj Lezhja, thuhej: "Për nevoja emergjente të Kryeministrisë, ju kërkojmë të vini në dispozicion automjetin tip 'Volkswagen Touareg', me targë TR 7786 T, për një periudhë të pacaktuar. Në shkresën e ish-sekretarit të për-gjithshëm të Kryeministrisë bëhej e ditur se ky kalim të bëhet brenda datës 14 shtator 2013 dhe procedurat e transferimit të ndiqen nga ana e z.Yrmet Kadiu, me detyrë shef i sektorit të shërbimeve në Kryeministri. Makina mban targa të tjera dhe Berisha prêt në semafor si çdo qytetar i thjeshtë i kryeqytetit. Kështu ndodh prej disa ditësh, dhe rruga e tij e përditshme tashmë është nga banesa tek qendra tregtare "ABA Center". Në këtë ndërtesë ka zyrën e tij edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Seqiu. Diplomati evropian, dje qëndroi shumë pak në zyrë, teksa lëvizi rreth orës 10:00 për një takim të fiksuar me ministren e re të Integrimit, Klajda Gjosha. Nuk dihet nëse Berisha takohet shpesh me ambasadorin Seqiu, por duke marrë parasysh afërsinë e zyrave të tyre, duket se takimet e tyre bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
/GazetaShqiptare/





