20 shtator 2013- Zëdhënësja e grupit parlamentar të PD, Jorida Tabaku, ka akuzuar mazhorancën e re se po përpiqet të bëjë spastrimet e fundit në administratë, para se të hyjë në fuqi ligji për statusin e nëpunësit civil. Tabaku paralajmëroi se PS pritet të largojë rreth 90 mijë punonjës nga administrata, teksa i ka kujtuar Ramës shqetësimet që përfaqësues të lartë të BE i parashtruan për këtë çështje, gjatë vizitës së tij në Bruksel.
“Zoti Bylykbashi ngriti sot një shqetësim, i cili është një nga kriteret e BE, administrata publike. Ka qenë një nga 12 prioritet e BE dhe ka qenë miratuar me kompromis nga të dyja palët.
Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor, dhe kemi informacione nga të gjitha ministritë për presione të jashtëzakonshme duke i detyruar të japin dorëheqjen, dhe kur nuk është dhënë dorëheqja është dhënë urdhri”, tha Tabaku.
“Ato janë punonjës me status, janë rangu më i lartë i nëpunësit civil, por do të vijojnë betejat ligjore, por çfarë të presim kur ndodh me zyrtarët më të lartë. PS po nxiton për të bërë spastrimet e fundit, para se ligji për administratën të hyjë në fuqi në 1 tetor.Ne do përpiqemi të jemi në mbrojtje të çdo punonjësi të administratës civile. Gjatë 8 viteve në pushtet, kanë ndodhur për arsye detyre apo mosmarrëveshje që janë pushuar. Por, për arsye politike të hiqen 90 mijë veta dhe të zëvendësohen me të tjerë! Sot lexoja lajmet dhe mu duk si kohë lufte”, shtoi ajo.
http://www.sot.com.al/politike/tabaku-m%C3%AB-duket-si-koh%C3%AB-lufte-ps-pritet-t%C3%AB-shkarkoj%C3%AB-90-mij%C3%AB-punonj%C3%ABs





