20 shtator 2013- Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, në një prononcim për mediat, deklaroi se stabiliteti dhe profesionalizmi i administratës publike, janë një kusht themelor për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Partia Demokratike denoncoi sot fushatën që sipas saj, ka nisur Partia Socialiste, për spastrimin e administratës publike. Bylykbashi i ka bërë thirrje mazhorancës të ndalë sulmet dhe presionet ndaj punonjësve të administratës.

"Pikërisht për këtë arsye një nga tre kushtet e vëna Shqipërisë ishte edhe Ligji i ri i Shërbimit Civil, një nga tre ligjet e miratuara me konsensus me kërkesë të Bashkimit Europian, si kusht për marrjen e statusit “kandidat”. Ky ligj garanton mbrojtjen dhe standardet më të larta për shërbimin civil. Mos cënimi i administratës publike dhe shërbimit civil, ishte një nga çështjet që z. Rama iu theksua në të gjitha takimet që pati në Bruksel. Kjo sepse takspaguesit europianë, sikundër taksapaguesit shqiptarë, kanë investuar miliona euro ne trajnimin dhe profesionalizimin e kësaj administrate".

Duke vijuar më tej, Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit Rama, të ndalë menjëherë këtë sulm antiligjor ndaj administratës publike dhe shërbimit civil, ku sipas tij, është një nga asetet më të vyera që ka vendi. "Partia Demokratike u bën thirrje punonjësve të administratës publike, të refuzojnë dhe denoncojnë çdo rast presioni dhe shkelje të të drejtave të tyre ligjore. Ne mbetemi të vendosur të qëndrojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe politike përballë këtij sulmi, që synon zhbërjen e Administratës Publike Shqiptare dhe zëvendësimin e saj me militantë partiakë", përfundon reagimi.