TIRANË, 20 shtator 2013 – Ferdinand Elezi propozohet për drejtues të Prokurorisë së Apelit në Durrës, ndonëse ka pasur probleme me ish-prokuroren e përgjithshme Ina Rama, që e ka ndëshkuar disiplinarisht. Këshilli i Prokurorisë ka përzgjedhur më 19 shtator 2013 kandidaturat që do t’i propozohen Prokurorit të Përgjithshëm për pozicionet drejtuese vakante në prokuroritë e rretheve Elbasan, Kavajë dhe Sarandë, si edhe të prokurorive të Apelit në Durrës dhe Gjirokastër. Për Prokurorinë e Apelit Durrës kandiduan 3 prokurorë, ku Ferdinand Elezi mori 5 vota dhe Moisi Duda vetëm 1 votë. Ishte po ky Këshill që propozoi ulje në detyrë në vitin 2012, por shfuqizoi Apeli i Tiranës. Ferdinand Elezi, ka lindur më 12.11.1968, në Peqin dhe banon në Durrës, aktualisht me detyrë prokuror në prokurorinë e Apelit Durrës. Në vitin 2012, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Skënder Kaçupi, paraqiti disertacionin për mbrojtjen e gradës shkencore doktor i shkencave me “Provat penale dhe procesi i të provuarit”, në Fakultetin e Drejtësisë, departamenti i së drejtës penale të universitetit publik të Tiranës. Rektorati i universitetit publikoi më 14 janar 2013 doktoraturën. Brenda pak ditëve, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të shqyrtojë propozimet e Këshillit të Prokurorisë dhe do të vendosë për emrat që do të emërohen si drejtues në këto prokurori. Bazuar në nenin 10 të ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Prokurorisë “kryen funksione këshillimore, në ndihmë të Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe…i jep mendime për kandidaturat për drejtues të prokurorive”. Në nenin 8, pika “ç”, ligji i ngarkon Prokurorit të Përgjithshëm kompetencën për caktimin e drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave, të përcaktuara në ligj”.
Info
Ferdinand Elezi ka kryer funksionin e prokurorit ë nga data 5.7.1999 ku është emëruar në detyrën e drejtuesit të prokurorisëe së rrethit Kavaje deri më 22.11.2002. Nga kjo datë deri më 10.11.2003 ka kryer detyren e zëvendësdrejtuesit të prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës deri më 1.5.2005, kur është emëruar drejtues i prokurorisë së apelit Tiranë deri më datë 11.7.2006. Më 11.7.2006 e në vazhdim ushtron funksionin e prokurorit në prokurorinë e Apelit Durrës. Prokurori i Përgjithshëm [Ina Rama] me urdhrin nr. 89 date 2.5.2011 “Për fillimin e procedimit disiplinor” ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor ndaj Ferdinand Elezit. Ky urdhër, së bashku me relacionin e datës 3.5.2011 të prokurores së drejtorisë së inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme i është komunikuar Elezit. Më 26.12.2011 Elezi ka paraqitur objeksionet e tij rreth procedimit disiplinor. Këshilli i Prokurorisë në mbledhjen e datës 17.2.2012 në përfundim të shqyrtimit të procedimit disiplinor ndaj prokurorit Ferdinand Elezi, me shumicë votash, ka vendosur t’i propozojë Prokurorit të Përgjithshëm që ndaj prokurorit Elezi të merrej masa disiplinore vërejtje. Prokurorja e Përgjithshme me urdhrin nr. 59 datë 28.3.2012, ka vendosur që prokurorit Ferdinand Elezi për shkeljet e kryera t’i jepej masa disiplinore kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda sistemit të prokurorisë, e konkretisht prokuror në prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës për një periudhë 6-mujore dhe drejtoria e inspektimit dhe burimeve njerëzore të administronte këtë urdhër në dosjen personale të prokurorit. Me shkresën nr. 605/3 prot. urdhri nr. 59 datë 28.3.2012 i Prokurorit të Përgjithshëm i është komunikuar Elezit. Brenda afatit ligjor Elezi i është drejtuar gjykatës me kërkesë-padi me anë të cilës ka kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ, urdhrit nr. 59 datë 28.4.2012 të Prokurorit të Përgjithshëm për dhënie mase disiplinor, pezullimin e zbatimit të urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe fshirjen nga dosja personale e prokurorit Elezi të masës disiplinore të dhënë. Pas një muaji, më 30.4.2012 togat e zeza të Gjykatës së Apelit të Tiranës (Alaudin Malaj, Fiqirete Mullaj, Shkëlqim Miri), vendosën shfuqizimin e aktit administrativ, urdhrit nr. 59 datë 28.03.2012 të Prokurores së Përgjithshme të Republikës së Shqiperise si dhe fshirjen nga dosja personale e prokurorit Elezi të masës.
/Th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





